“Është nder dhe privilegj por edhe kënaqësi shumë e madhe që sot në emër të organizatorit të këtij panairi t’ ju dëshiroj mirëseardhje në edicionin e parë të Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2018”, me këto fjalë, rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, hapi edicionin e parë të Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2018.
Rektori Tafa tha se është panairi i parë që libri po iu ofrohet dhe është më afër studentit, dhe shtoi se ky panair nuk është vetëm për studentët por për secilin që është adhurues i librit.
“Ne kemi panaire që mbahen në ambiente shqiptare si ai i Pranverës në Prishtinë, i Nëntorit në Tiranë e të tjerë, por nuk kemi pasur një panair që libri t’ i ofrohet studentit. Prandaj edhe qëllimi i këtij panairi është që librari të jetë një me lexuesin. Studenti nuk është një lexues si të gjithë të tjerët por është një lexues që leximin e ka jo vetëm pasion por edhe detyrim. Kjo e bënë të veçantë këtë panair”, shtoi rektori Tafa.
Ndërsa, Arben Papaj nga Ambasada e Shqipërisë, uroi për këtë panair dhe tha se nga ky aktivitet do të rritet edhe cilësia e përgatitjeve të studentëve të Kolegjit AAB.
“Unë kam dëgjuar shumë për Kolegjin AAB, dhe jam shumë i nderuar që në emër të Ambasadës së Shqipërisë dhe në emër të Ambasadorit, Qemal Minxhozi, t’ ju uroj për këtë veprimtari të rëndësishme. Unë shikoj edhe në sytë e studentëve se janë shumë te entuziazmuar dhe duket që e duan librin”, tha Papaj.
Daut Demaku nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, tha që në kënë universitet po ndodhin manifestime kulturore që kanë vlera të jashtëzakonshme. Ai gjithashtu shtoi se është kënaqësi e madhe të shoh se Kolegji AAB ka themeluar një shpërblim me emrin e Ali Prodrimjes.
“Shpërblimi më i lartë në botë dhe më prestigjiozi është shpërblimi Nobel, dhe kur e dëgjoj që AAB-ja e themeloi shpërblimin e emrin e Ali Podrimjes, nuk kam çfarë të them tjetër vetëm t’ i uroj punë të mbarë”, tha Demaku.
Tutje, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Leonora Morina-Bunjaku, përgëzoi Lolegjin AAB për këtë aktivitet shumë të rëndësishëm dhe tha se duhet të krijohet si traditë në vendin tonë.
Gjatë ditës së sotme nuk do të mungojnë as promovime të librave të ndryshëm, ku pesë prej tyre do të promovohen në Biblotekën e AAB-së. “Takimi i parë publik diplomatik SHBA-UÇK” nga Hajdin Abazi, “Kosova” vëllimi i VI, VII dhe VIII nga Isuf Buxhovi, “Të vdekurit e gjallë”, nga Ibrahim Kadriu, “Të drejtët” nga Albert Kamy dhe e përkthyer nga Ilia Lengu, “Vëllezërit Karamazov” nga F.Dostojevski dhe e përkthyer nga Xhelime Zykaj, janë pesë veprat që do të promovohem.
Panairi Vjeshtori i Librit AAB 2018 ka filluar sot më 04 tetor dhe do të vazhdojë deri më 07 Tetor./GazetaKNN/