Sport

Hajzeri synon majat e basketbollit kosovar

Klubi i basketbollit Borea po e bën “kërdinë” në Ligën e Parë të Kosovës në basketboll, shkruan sot gazeta Zëri.

Skuadra pejane ka regjistruar 12 fitore dhe është e pakonkurrencë në këtë ligë, duke shkuar me hapa të sigurt drejt Superligës, në të cilën pritet të garojë sezonin e ardhshëm.
Pa dyshim, merita të mëdha për këtë sukses të ekipit të dytë pejan ka edhe basketbollisti Sami Hajzeri.

24-vjeçari po luan rol të rëndësishëm tek Borea, me të cilën ka statistika mbresëlënëse prej 26,7 pikësh për ndeshje këtë sezon, 8 kërcime dhe 5 topa të vjedhur.

Hajzeri luan në pozitat 2-3 dhe po e udhëheq me përpikëri ekipin pejan, me të cilin synon të ketë suksese edhe në të ardhmen.

“Momentalisht jam duke luajtur në ekipin e dytë të qytetit të Pejës, KB Borea. Jemi në vendin e parë me 12 fitore në po aq ndeshje. Jam kapiten i ekipit, me të cilin synojmë Superligën dhe jemi në rrugë të mirë për ta arritur këtë. Na kanë mbetur vetëm edhe dy ndeshje dhe ‘Play-Off’-i”, tregon fillimisht për “Zërin” basketbollisti pejan.

“Ne synojmë të ngjitemi sa më lart dhe të tregojmë lojëra të mira. Ekipi ka potencial, të gjithë lojtarët jemi vendorë, ka disa talente dhe disa të tjerë jemi lojtarë me përvojë”, vazhdoi ai.

I gjatë 190 centimetra, Hajzeri i ka idetë e qarta për të ardhmen. Ai beson se mund të luajë përsëri në një skuadër të madhe kosovare, pasi më parë ishte pjesë e Pejës për disa vite.
“Unë kam luajtur në KB Peja në të gjitha kategoritë zinxhir. Kam debutuar me ekipin e parë të KB Pejës si 17-vjeçar dhe kam luajtur aty tre vjet. Më pas një vit e gjysmë kam luajtur në Besë dhe një vit e gjysmë në Vëllaznim. Pra, kam luajtur shtatë vjet në Superligë. Besoj se kam potencial për të luajtur në një klub të madh kosovar, e kam treguar veten kudo që kam luajtur”, ka shtuar ai.

Pa dyshim, Sami Hajzeri është njëri prej lojtarëve më të mirë në Ligën e Parë të basketbollit. /Zëri/