Sport

Guardiola: Napoli do ta bëjë Manchester Cityn të vuajë si kurrë më parë

Pep Guardiola e ka lavdëruar përsëri Napolin dhe ka paralajmëruar se skuadra italiane do ta bëjë Manchester Cityn të vuajë si kurrë më parë.

Napoli e pret sonte Manchester Cityn në “Stadio San Paolo” me fillim nga ora 20:45, në kuadër të xhiros së katërt të fazës grupore të Ligës së Kampionëve, transmeton Express.

City e fitoi lojën e kaluar në “Etihad” por me rezultat të ngushtë, 2-1.

“Është kënaqësi që do ta shoh përsëri Maurizio Sarrin. Mendoj se qasja e tij do të jetë e njëjtë. Kam nderin të jem në Napoli për herë të parë në jetën time, pasi më parë nuk kam pasur rastin si lojtar dhe trajner. Do të ketë momente kur duhet të mbrohemi, momente kur do të vuajmë si kurrë më parë, prandaj dua të shoh se si do të reagojmë ndaj kësaj. Kjo është një sfidë e mirë”, ka thënë Pep. /Express/