Aktuale

Gjykimi kundër Naser Kelmendit kthehet në pikën fillestare

Naser Kelmendi i ka dëgjuar të hënën me video-incizim për të dytën herë deklaratat e disa prej dëshmitarëve, të cilët kanë dëshmuar në gjykimin kundër tij.

Këtë ka qenë i obliguar ta bëjë, pasi pas dy vjet e gjysmë i tërë procesi gjyqësor është kthyer në pikën fillestare, shkruan sot Koha Ditore.

Ndërrimi i njërit prej anëtarëve të trupit gjykues ka bërë që të përsëriten të gjitha procedurat gjyqësore.

Mbrojtja e Kelmendit ndërrimin e trupit gjykues e ka cilësuar dënim të dyfishtë. Ka thënë se në këtë mënyrë po zvarritet gjykimi pa nevojë.

Kelmendi akuzohet në nëntë pika të aktakuzës së ngritur nga një prokuror special i EULEX-it. Prokuroria pretendon se Kelmendi në bashkëkryerje me Fahrudin Radonçiqin, Ekrem Lekiqin, Muhamed Ali Gashin, Milovan Jeremiqin, Lubisha Buhan “Çume”, Milan Ostojiqin, “Sandokanin”, Naser Oriqin, Senad Sahinpasiqin, Nebojsha Vukomanoviqin, Raseta Stranjan, Benjamin Halimoviqin, Edin Ahmetshahiqin dhe të tjerë, ka organizuar, formuar, mbikëqyrur, udhëhequr dhe apo drejtuar grupin kriminal të organizuar dhe të strukturuar, apo ka marrë pjesë aktivisht në këtë grup të organizuar kriminal për vrasjen e kryegangsterit rival Ramiz Delaliq- “Çelo”.

Këtë krim, sipas Prokurorisë e kanë kryer për të përfituar drejtpërdrejt ose tërthorazi dobi pasurore apo financiare.

Prokuroria pretendon se në vitin 2006 Naser Kelmendi ka bërë një numër takimesh me Fahredin Radonçiqin, Ekrem Lekiqin, Muhamed Ali Gashin, Senad Sahipasiqin, Naser Oriqin dhe me të tjerë në Sarajevë. Pjesëmarrësit e këtyre takimeve sipas tij kanë formuar grupin kriminal të organizuar dhe strukturuar për të planifikuar, për të bërë komplotin dhe për të vrarë kryegangsterin rival, Ramiz Delaliq. Prokuroria pretendon se si rezultat i këtyre takimeve të organizuara, i pandehuri Naser Kelmendi është ofruar dhe ka pranuar përgjegjësi për të identifikuar dhe punësuar varësit që do të kryenin vrasjen e Ramiz Delaliqit.

Prokuroria ka thënë se vrasësi i njohur Strahinja Raseta me shokun dhe bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, Nebojsha Vukomanoviq nga Serbia, janë angazhuar me pagesë nga Naser Kelmendi dhe pjesëtarët e grupit të tij kriminal për të vrarë Ramiz Delaliqin.

the authorE B