Aktuale

Gjirokastra çel sezonin turistik

Bashkia e Gjirokastrës ka çelur sezonin e saj turistik me një sërë eventesh kulturore.

Një prej tyre është edhe “Fustanella festival” që ka mbledhur këngëtarë nga Evropa dhe Amerika, për të sjellë muzikën e tyre më të mirë.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka deklaruar se qëllimi i këtij aktiviteti është promovimi i Gjirokastrës, dhe mënyra më e mirë për rijetëzimin e monumenteve të kulturës.

“Ky është modeli se si duam të rijetëzojmë kalanë dhe të nxisim ekonominë në qytet, paralelisht me restaurimin dhe konservimin e pazarit dhe pjesëve të tjera të qytetit, për të krijuar një rrjet kështjellash mes Gjirokastrës, Libohovës dhe Tepelenës e për të vazhduar me Përmetin”, deklaroi Kumbaro.

Kryetarja e Bashkisë, Zamira Rami shprehet se sezoni veror i këtij viti gjen të përfunduara disa projekte të rëndësishme që do të ndikojnë në zhvillimin e turizmit, si drejtimi kryesor i ekonomisë për zonën.

“Të arrijmë të krijojmë një turizëm të qëndrueshëm për Gjirokastrën, duke bërë pjesë të zonave turistike edhe zonat rurale të saj, dhe ta promovojmë më shumë Gjirokastrën, që të kemi sa më shumë njerëz gjatë sezonit turistik”, ka deklaruar ajo.

Në kuadër të nisjes së sezonit turistik ishte dhe çelja e muzeut etnografik të restauruar. Muzeu, i vendosur në shtëpinë e diktatorit Hoxha, pritet të pasurohet me objekte të reja të traditës etnografike të gjithë luginës.

Deputeti Vangjel Tavo gjatë promovimit premtoi të sjellë karrigen personale të diktatorit, e cila gjendej në ish-shtëpinë e pushimit në Pogradec.

the authorE B