Sport

Gjilani vazhdon me Morinën, sezonin tjetër e do Evropën

Klubi i futbollit Gjilani është mjaft i kënaqur me punën e trajnerit Arbnor Morina, shkruan zeri.info.

Drejtuesit e klubit kanë vendosur ta vazhdojnë bashkëpunimin me trajnerin prishtinas, duke nënshkruar kontratë të re 1+1 vjet. Lajmin e ka bërë të ditur drejtori sportiv i Gjilanit, Naser Ajeti.

“Ne jemi të kënaqur me punën që e ka bërë Arbnori në Gjilan, prandaj kemi vendosur ta vazhdojmë kontratën për një vit, me mundësi vazhdimi edhe për një tjetër. Pra, është e sigurt se Arbnori do ta udhëheq ekipin në sezonin e ardhshëm, por ka gjasa të vazhdojë edhe një vit tjetër, varësisht nga puna, përkushtimi, angazhimi dhe rezultatet”, është shprehur Ajeti për “Zërin”.

Ndër të tjera, ai ka thënë se gjilanasit këtë sezon nuk mundën ta synonin Evropën për shkak se nuk i përmbushnin kriteret e UEFA-s, sidomos atë financiar.

Megjithatë, kryesia momentale e klubit po punon që të jetë gati për sezonin e ardhshëm.

“Sezonin e ardhshëm synim yni do të jetë Evropa. Por, së pari duhet t’i kryejmë punët e shtëpisë, duke u munduar t’i plotësojmë kriteret. Pra, duhet të jemi fillimisht kampionë në administratë, e më pas në kampionat”, ka shtuar ai. /Zëri/