Aktuale

Gjetaj: Po i presim vendimet gjyqësore për të filluar gërmimet ku dyshohet për varreza masive

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Prenk Gjetaj, ka treguar se ekzistojnë disa lokacione të cilat janë shënjuar si të dyshuara se janë varreza masive, mirëpo për të nisur gërmimet në ato zona, duhet të presin urdhëresë gjyqësore. Express lidhur me këtë çështje, ka biseduar me Gjetajn i cili ka treguar edhe për punën e deritanishme dhe angazhimet e Qeverisë së re lidhur më këtë çështjen e personave të zhdukur.

Kryeministri i Kosovës që në javën e parë të qeverisje së tij u zotua se do të bëjë zgjidhje për çështjen e personave të pagjetur. Ramush Haradinaj ka mbajtur një takim me kryetarin e delegacionit të Kosovës, Ibrahim Makolli, me të cilin bisedoi për problemet që po ballafaqohet Kosova lidhur me çështjen e personave të zhdukur në luftën e fundit, kështu duke thënë se për një javë do t’u jepet zgjidhje kërkesave zyrtare.

Prenk Gjetaj ka thënë të shtunën për Express se kryeministri ka kërkuar nga secili akter që të bëjnë plane ditore, javore dhe mujore për zgjidhjen e problemeve që po ballafaqohet Kosova me personat që ende janë të zhdukur që nga lufta e fundit.

“Normalisht që ka kërku prej të gjitha akterëve që të bëjnë plane ditore, javore dhe mujore. Ky aktivitet veç ka fillu”, deklaroi Gjetaj.

Ai gjithashtu theksoi se ekzistojnë disa lokacione, numrin e të cilëve nuk e bëri të ditur, mirëpo tha se po presin vendim gjyqësor për të filluar gërmimet në këto lokacionet e shënjuara si të dyshuara.

“Kanë fillu aktivitetet, është punu dhe janë në procedurë disa kërkesa për t’u vlerësu dhe vetëm urdhëresa gjyqësore duhet të pritet për t’u lëshuar për disa lokacione të cilat janë të shënjuara si të dyshuara dhe normalisht ai ka shpreh përkrahjen lidhur me këtë drejtim”, tha kryesuesi i Komisionit Qeveritar.

Gjetaj tha se për këtë çështje kanë bashkëpunim edhe me EULEX’in, për shkak se i kanë ende kompetencat për varrimet.

Por, pos aktiviteteve që kanë filluar në këtë fushë që Gjetaj i tregoi për Express, ai gjithashtu tha se po ballafaqohen edhe me probleme,

“Së pari është mungesa e informacioneve të besueshme për vendndodhjen apo lokacionin e mundshëm. Së dyti, është problemi i mbetjeve mortore që gjenden në morg dhe për të cilat duhet një qasje më e veçantë, një plan më i veçantë”, tha Gjetaj, derisa tregoi se për këtë të fundit duhet të bëhet një analizë se cilat raste mund të cilësohen si të dyshuara dhe cilat jo.

Ai gjithashtu tregoi se identifikimi i mbi 2000 trupave është bërë me metoda klasike, kështu që ekziston mundësia se mund të jenë bërë gabim, andaj sipas Gjetajt, duhet të bëhet një analizë për këto raste.

“Duhet të bëhet një analizë se cilat raste mund të jenë të dyshuara, sepse ju e dini që qeveria dhe institucionet janë të njoftuara se mbi 2000 trupa pasluftës janë identifiku me metodat klasike, kështu që ekziston mundësia se mund të jenë bërë gabime”, ka thënë Gjetaj./GazetaExpress/

the authorE B