Posta e Kosovës ka promovuar pullën postare në nderim të gjeneral Xheladin Gashi-Plaku. Kjo pullë postare është lëshuar në qarkullim me rastin e 12 vjetorit të vdekjes së tij.
Plaku i luftës, siç e quanin bashkëluftëtarët, zhvilloi një veprimtari të bujshme edhe para themelimit dhe aktivitetit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Derisa, ishte edhe njëri nga themeluesit e celulave të para të UÇK-së, si dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm nga themelimi i strukturave të para të UÇK-së.
Komandant Plaku ndërroi jetë në vitin 2012 e që në atë kohë ishte në krye të shoqatës “Miqtë e TMK-së”.
Me emrin e tij është emëruar shkolla fillore në Komoran, kurse është dekoruar me medaljen “Hero i Kosovës” nga ish-presidentja e Kosoëvs Atifete Jahjaga.
Drejtori ekzekutiv i Postës së Kosovës Sejdi Hoxha tha se Plaku ishte një personalitet me guxim e atdhetar. Hoxha foli për jetën dhe veprën e gjeneral Plakut duke thënë se respekti për jetën dhe veprën e tij do të jetojë gjithmonë.
Hoxha tha se gjeneral Plaku ishte personalitet me vizion të qartë politik, vendosmëri dhe guxim.
Ndërsa kryetari i Kuvendit Kadri Veseli theksoi se Plaku ishte njëri nga njerëzit më kontributdhënës për rritjen dhe masivizimin e UÇK-së. Veseli tha se sot është ditë e veçantë për Kosovës dhe se Plaku është shpallur hero i Kosovës me plot të drejtë sepse ai vërtetë ishte dhe është hero i Kosovës.
“Ai ishte një njeri i madh. Ata të cilët e njohin, e dinë këtë çfarë po flas, për vet faktin se ishte i pandalshëm. E quanim Plak, jo pse ishte plak, por e quanim Plaku për shkak vet përvojës dhe urtësisë që kishte në veprim. Por në të njëjtën kohë edhe një veprim rinor i cili ishte i pashembullt. Po flas për ato vite të rënda të viteve nëntëdhjeta të cilën e karakterizon vetëm një personalitet arsimdashës dhe atdhetar siç ishte Xheladin Gashi. Sot kjo është një ditë e veçantë për Kosovën, institucionet e kanë shpallur hero të Kosovës me plotë të drejt për arsye se ky është heroi i Kosovës, lirisë së Kosovës”, theksoi Veseli.
Në emër të bashkëluftëtarëve dhe bashkëveprimtarëve foli Nait Hasani i cili tha se Plaku ishte mësues, ideator e atdhetar. Hasani tha se Plaku ishte ai që u jepte guxim, vullnet për të ecur përpara me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Në emër të familjes së Plakut të pranishmit i përshëndeti djali i heroit, Arsim Gashi, i cili tha se me promovimin e kësaj pulle postare po nderohet lufta çlirimtare e UÇK-së.
“Ju falënderojmë për pjesëmarrje dhe duke falënderuar Postën e Kosovës me në krye Sejdi Hoxha me emetimin e pullës postare me portretin e babait po nderon përjetësisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën e saj për liri dhe pavarësi”, tha Gashi.
Gjeneral Xheladin Gashi-Plaku u lind më 25 maj 1946 në Bushat (Komoran). Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen në Prishtinë, kurse shkollimin superior në Universitetin e Shkupit në Degën Biologji-Kimi. Pas mbarimit të studimeve, ai filloi punën si mësimdhënës në shkollën “Bajram Curri” në Nekovc të Drenicës, ku më vonë ishte edhe drejtor i kësaj shkolle.
Plaku vazhdoji punën si pedagog në Bushat, të cilën e kreu gjithnjë paralel me veprimtarinë e tij patriotike ilegale.