Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal njëherësh edhe këshilltar i kryeministrit, Bajram Gecaj, e ka goditur ashpër ministrin e Serbisë për Punë sociale, Aleksander Vulin.
Gecaj ia kujton Vulinit se ata kanë humbur nga brigada 138 dhe se me luftën e fundit në Koshare të gjitha përpjekjet e tyre ndaj Kosovës i kanë hedhur në kosh të historisë një herë e përgjithmonë.
Postimi i Gecajt në Facebook:
Mbaje mend Vulin ti dhe vulinashat e tjerë: Keni humbur nga Brigada 138 po u është dukur e fortë si NATO
Ministri i Serbisë për Punë e çështje sociale, Aleksandar Vulin dje, siç citon B92, ka thënë se ”Beteja në Koshare është dëshmi se populli që e do lirinë mund të fitojë edhe në luftë me armikun shumë më të fuqishëm”. Bazuar në këtë fjali, në të parë mu duke se qenka këndellur Vulini nga agonia e historiografisë serbe ku gënjeshtra ka qenë kod i pas luftës, për të fituar të gjitha luftërat. Por jo Vulin me të vjetrën. Për ta fshehur humbjen në Koshare, ky mistrec, thotë se aty është bërë luftë e pabarabartë, sepse serbët paskan luftuar me NATO-n. Nuk është e çuditshme që mendon kështu Vulin-i sepse shqiptarët në Koshare, konkretisht brigada 138, kanë qenë ashtu të përgatitur për të luftuar dhe për tu flijuar për liri e pavarësi sa që serbëve u është dukur se po luftojnë me NATO-n. Ju mund të vazhdoni të festoni humbjet, po mbaje mend Vulin dhe të gjithë vulinasha të tjerët si ti se, me luftën e fundit dhe me luftën në Koshare të gjitha përpjekjet e juaja ndaj Kosovës i kemi hedhur në kosh të historisë një herë e përgjithmonë.