Debati mbi ‘guximin e komandantëve’ në Kuvendin e Kosovës ishte patetik, i pa vend dhe krejt naiv. Kështu mendon Bajram Gecaj, këshilltari i kryeministrit në largim, Isa Mustafa.
“Në këtë seancë dikush e pa që më e rëndësishmja për ta thënë aty dhe në atë moment ishte mungesa e guximit të komandantëve. Pse ky përgjithësim? Çfarë ndërlidhje e djallëzores me naiven! Hiç më e mirë nuk ishte as ajo tjetra kur u tha e kundërta, po ashtu me përgjithësim. Përkundrazi kishte patriotizëm të vonuar dy dekada që i bënë qesharakë folësit rrahagjoks, brenda e jashtë Kuvendit të Kosovës. A bën tu tregoj dikush këtyre se lufta ka kohë që ka përfunduar, dhe se tani jemi në rrethana e dimensione krejtësisht tjera? Guximi e patriotizmi më i madh i kësaj kohe është të mos i bëhet hile qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Gecaj.