Gazeta Zyrtare publikoi edhe zyrtarisht në numrin e saj vendimin për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi më 27 prill, ndërkohë vazhdojnë dilemat se nga cila datë hyn në fuqi afati 10 ditor i presidentit George Ivanov për të ndarë mandatin.
Referuar ekspertëve kushtetues, dilemat i pastron neni 90 i Kushtetutës i cili thotë se rrjedhja e afatit 10 ditor fillon me përfundimin e seancës konstituive në Kuvend. Seanca konstituive përfundon me zgjedhjen e kreut të ri të Kuvendit.
Kryetari i Republikës së Maqedonisë është i obliguar që në afat dhjetëditor nga konstituimi i Kuvendit, mandatin për formimin e Qeverisë së re t’ia besojë kandidatit të partisë ose partive të cilat kanë shumicën në Kuvend – thuhet në Nenin 90 të Kushtetutës së Maqedonisë.
Referuar Kushtetutës dhe ekspertëve kushtetues, afati 10 ditor i Presidentit Ivanov për të ndarë mandatin ka skaduar. Kjo sipas ekspertit Naser Ziberi shumicës së re i jep mundësi që Qeverinë ta zgjedh edhe pa siguruar mandatit.
“Kryesia e ngushtë e LSDM-së të bëj një takim me Ivanovin dhe të sqarohet edhe njëherë dyshimi eventual i cili është absolutisht i pa bazë për gjoja prishjen e karakterit unitar të shtetit dhe në këtë mënyrë të gjen pretekst Ivanovi dhe të ndaj mandatin. Nëse nuk vihet deri tek ky takim unë dyshoj se Ivanov do të ndajë mandatin dhe në këtë situatë shumica parlamentare detyrohet të bëjë zgjedhjen e Qeverisë. Grupi i cili proteston me këtë do të fitonte pretekst për të hyrë përsëri në Parlament”, tha Ziberi.
Nga Kabineti i presidentit Ivanov sërish heshtin. Alsat u drejtua me pyetje deri tek Ivanov nëse i njëjti ka thirrur në takim liderin e LSDM-së Zoran Zaev për të marrë garanci për mos cenimin e karakterit unitar të Maqedonisë dhe për t’i besuar mandatin, mirëpo nuk morëm asnjë përgjigje.
Shumica e re parlamentare më 27 prill zgjodhi kryetarin e ri të Kuvendit. Zgjedhja pasoi me protesta të dhunshme ndaj deputetëve dhe tentativa për vrasje. Më dy maj zëvendës kryesuesi i seancës së Kuvendit Goran Misovski njoftoi gazetën zyrtare, ndërsa më tre maj kryetari i ri i Kuvendit me shkresë njoftoi Presidentin Ivanov se në Kuvend ekziston shumicë e re të cilës duhet t’i jepet mandati.
Pas marrjes së mandatit, mandatari brenda 20 ditëve duhet të njoftojë kreun e Kuvendit me programin qeveritar dhe përbërjen e kabinetit, ndërsa ky i fundit më pas të thirrur seancë në të cilën do të votohet qeveria e re me së paku 61 vota si shumicë e thjeshtë nga numri i përgjithshëm i deputetëve.