Ish-trajneri i Paris Saint-Germainit, Carlo Ancelotti shprehet se mbeti i befasuar nga eliminimi i ish-ekipit të tij nga Manchester Unitedi në Ligën e Kampionëve të mërkurën. Strategu italian thotë se po të ishte në stolin e parisienëve në atë ndeshje atëherë do të gjente urën më të afërt dhe do të hidhej.
Carlo Ancelotti thotë se ai do të kishte kërcuar nga ura po të ishte në krye të Paris Saint-Germainit pas kapitullimit të tyre në Ligën e Kampionëve. Gjiganti francez e shpërdoroi epërsinë prej dy golave të krijuar në udhëtim te Manchester Unitedi në ndeshjen e parë, duke u eliminuar në një sfidë dramatike në ndeshjen e kthimit të së tetës së finales të mërkurën.
Ekipi i Thomas Tuchelit kishte fituar 2:0 në ndeshjen e parë në “Old Trafford”, por u mposht 3:1 në Paris, kur Marcus Rashford realizoi një penallti kontroverse për t’i eliminuar francezët.
I pyetur për eliminimin e ish-ekipit të tij, trajneri i Napolit Ancelotti thotë se ishte i befasuar nga një gjë e tillë.
“ishte e pabesueshme. E pabesueshme. Nëse do të isha unë në stolin e PSG-së, nuk e di se çfarë do të bëja. Ndoshta do të gjeja urën më të afërt dhe do të hidhesha”, ka thënë Ancelotti, transmeton zeri.info
Strategu italian i tha këto fjalë pas fitores 3:0 që e regjistroi Napoli në shtëpi ndaj Salzburgut në ndeshjen e parë të së tetës së finales së Ligës së Evropës të enjten. Golat e Arkadiusz Milikut dhe Fabian Ruizit dhe autogoli i Jerome Onguenet ia mundësuan Napolit një fitore të lehtë, derisa dy qendërmbrojtësit Kalidou Koulibaly dhe Nikola Maksimovic do të mungojnë në ndeshjen e ardhshme për shkak të kartonëve të verdhë.
“Nuk jam i brengosur për mungesën e tyre sepse kemi qendërmbrojtës të besueshëm, por isha më shumë i shqetësuar nga mungesa e balancës në fazën e fundit. Është një rezultat i mirë, janë edhe 90 minuta për t’u luajtur dhe ne nuk mund të bëjmë kalkulime. Ne i bëmë disa gjëra mirë, disa jo aq mirë dhe duhet të punojmë në këto. Ne i lejuam disa kundërsulme të rrezikshëm dhe disa rreziqe që me rezultatin 3:0 mund t’i kishim shmangur. Ne mund të jemi të pakalueshëm kur mbrohemi mirë, por deshëm më shumë dhe tentuam të shtynim përpara”, u shpreh strategu italian.
“Salzburgu e tregoi se ka shpejtësi dhe qëndrueshmëri, kështu që ne duhej të kishim kujdes. Ne duhet të shënojmë së paku një gol në ndeshjen e dytë, përndryshe do të rrezikojmë”, shtoi ai.
Napoli do të rikthehet në aksion të dielën, kur do të përballet me Sassuolon në Serie A para se të zhvillojë ndeshjen e dytë ndaj Salzburgut të enjten e ardhshme.