Sport

FFK-ja: Këto klube marrin pjesë në Champions e Europa League

FFK-ja ka lëshuar një komunikatë për media ku sqaron cilat klube që do të marrin pjesë në Ligën e Kampionëve dhe Europa League, duke mos treguar përfitimet.
Klubet kosovare pritet të pasurohen nga UEFA këtë verës. Pa dyshim klubi që do të përfitojë më së shumti këtë vit është Trepça ’89, shkruan Gazeta Express.

Mitrovicasit për titullin e kampionit që e siguruan së fundmi do të pasurohen me 260 mijë euro, shumë të cilën UEFA ua ndan kampionëve të shteteve përkatëse.

Në xhirollogarinë e “Xehetarëve” besohet se do të përfundojnë automatikisht edhe 220 mijë euro të tjera vetëm për pjesëmarrje në rundin e parë të Ligës së Kampionëve.

Krahas kampionit këtë vit arkat mund t’i mbushë edhe fituesi i Kupës së Kosovës.

Pasi Besa nuk e ka marrë licencën, Llapi, me një fitore eventuale në finalen e 31 majit, do të shpërblehej me 215 mijë euro vetëm për pjesëmarrje në rundin e parë kualifikues të Europa Leagues.

Kualifikimi eventual në rundin e dytë do t’i pasuronte llapjanët me 225 mijë të tjera, e në rundin e tretë edhe me 235 mijë.

Nëse besa arrin ta fitojë Kupën, atëherë është Prishtina ajo që sipas FFK-së do të marrë pjesë në Europa League, përcjell Express.

Komunikata e plote e FFK-së

Federata e Futbollit e Kosovës, pas disa shkrimeve në portale dhe gazeta rreth pjesëmarrjes dhe shpërblimeve të klubeve të Kosovës që do të marrin pjesë në garat evropiane për të larguar çdo dilemë dhe keqkuptim sqarojmë opinionin si vijon.

Kampioni i Kosovës në Vala superligën e Kosovës, fiton të drejtën e garave në Ligën e kampionëve natyrisht i licencuar dhe merre shpërblimin e paraparë nga UEFA.

Në garën e Evropa Ligë merr pjesë skuadra fituese e kupës së Kosovës, nëse është e licencuar, në të kundërtën në Evropa Ligë merr pjesë nënkampioni (skuadra e renditur në vendin e dytë në vala superligë) e licencuar dhe merr shpërblimin e paraparë nga UEFA.