Federata e Atletikës së Maqedonisë mbrëmë në sallën e Këshillit të Qytetit të Shkupit mbajti Kuvendin e rregull vjetor, ku i pranishëm ishte e dhe drejtori i Komitetit Olimpik të Maqedonisë Vladimir Bogoevski. Të pranishëm nga 19 klube me të drejtë vote ishin 11 si dhe 2 klube pa drejtë vote.
Kuvendin e drejtoi kryetari Krste Serafimovski i cili pas miratimit të rendit të ditës në raportin e tij para kuvendarëve për punën një vjeçare të Federatës theksoi se ky vit mund të konsiderohet i suksesshëm. Federata ka krijuar kushte optimale për të gjithë atletët tanë në garat ndërkombëtare.
“Dua të theksoj se nga data 12 deri 16 korrik, Drita Islami me normë të plotësuar do të paraqitet në Kampionatin Europian deri më 23 vjet, në Bidgozhq të Polonisë” tha kryetari Krste Serafimovski, kryetar i Federatës.
Ai gjithashtu theksoi se në periudhën nga 12 deri 15 shtator do të shënohet 70 vjetori i atletikës në vendin tonë, ku pritet të marrin pjesë drejtuesit e Federatës Botërore, Evropiane e Ballkanike si Sebastian Coe, Sergej Bubka, Svein Arne Hansen, Dobromir Karamarinov dhe përfaqësues të disa vendeve tjera. Kuvendarët me disa sugjerime dhe plotësime pranuan raportin e kryetarit të Federatës dhe të komisioneve përkatëse. Në fund duhet të theksojmë se reprezentacioni Maqedonisë nga data 14 deri më 16 korrik do të merr pjesë në Kampionatin Ballkanik për senior në Novi Pazar të Serbisë.