Aktuale

Fatmir Gashi ka disa fjalë që i dalin nga shpirti për votuesit e tij

Kryetari i AAK-së në Pejë u është drejtuar me disa fjalë nga zemra pejanëve. Ka falënderuar secilin nga 14 mijë votuesit e tij. Të njëjtin falënderim ia ka bërë edhe familjes dhe gruas që e përkrahën gjatë gjithë kësaj kohe.

Ky është postimi i tij i plotë:

Qytetarë të respektuar të komunës së Pejës,

Tani kur po bëhet një javë në pritje të çertifikimit zyrtar të rezultateve zgjedhore për zgjedhjet e 22 tetorit për komunën e Pejës, unë sot dua tju drejtohem me disa fjalë zemre e shpirti.

Shumë sinqerisht, dua që veç e veç të falënderojë secilin nga 14 mijë votuesit e mi dhe të Aleancës të cilët të dielën i thanë Po mundësisë për ndryshim në komunën e Pejës.

Të dielën, në përgjithësi kishim një kuotë prej mbi 20 mijë qytetarësh që me votën e tyre, ishin në kërkim të ndryshimit, respekt për të gjithë.

Nisur nga ky realitet dhe nisur nga pozicioni im, e ndjejë obligim moral, njerëzor e intelektual, që të falënderojë nga zemra të gjitha strukturat e AAK-së në Pejë; Shtabin zgjedhor të degës, Kryesinë, Këshillin drejtues, Listën e 38 kandidatëve në garë, Kryetarët e nëndegëve, veteranët e subjektit, komisionerët dhe vëzhguesit, profesionistët e brendshëm dhe të jashtëm në ekipin tim, simpatizantët, ekipet e terrenit dhe të gjithë ata të cilët ndershëm, pa hezitim e me plot vullnet punuan duke kaluar nëpër sfida jo të lehta.

Një falënderim krejt të posaçëm edhe për familjen time të ngushtë dhe të gjërë, bashkëshorten Ilirjanën dhe fëmijët nga të cilët, sikur në secilin rrugëtim jetësor as kësaj rradhe nuk më ka munguar përkrahja për asnjë moment.

Unë sot dua të falënderojë të gjithë ata njerëz që përgjatë kohës së fushatës pa asnjë hezitim, me mikpritje shqiptare më kanë hapur derën, në shtëpi, në fusha, në ara, në vende pune, në fabrika, nëpër ndërmarrësi, në biznese familjare, në organizata dhe kudo. Mirënjohës përjetë edhe komunitetit shëndetësorë, arsimor, sportiv e kulturor të Pejës. Jam shumë i lumtur që për këto javë të fushatës kam fituar me mijëra miq. Ata janë pasuria ime e përjetshme çdo herë, në halle e derte në gëzim e festë. Në këtë kontekst, duke kërkuar falje që për një çast po më duhet të ik nga modestia ndoshta, por asesi duke mos dashur të bëjë krahasime që sjellin keqkuptime, një falënderim me përulje do ta ndajë për Lugun e Baranit, tubimin dhe pritjen madhështore të tyre.

Në kuadër të falënderimeve, deri në infinit mirënjohës për praninë dhe emocionet e papërshkruara të gjithë qytetarëve pjesëmarrës në tubimin përmbyllës të 20 tetorit në ‘Karagaç’.

Para fundit, dua tju them, se tek secili votues i imi dhe i AAK-së dhe tek secila strukturë, nuk ka vend për zhgënjim. Nuk ka humbur as AAK-ja në Pejë e as Fatmir Gashi, por bazuar në rezultatin e deritanishëm po del se nuk ka arritur të fitojë oferta. Oferta është vetëm një betejë. Beteja e 22 tetorit ishte e pabarabartë, por beteja të tilla, të gjata e të mëdha, çdoherë na forcojnë për ta fituar luftën. AAK-ja nuk do të humbë kurrë, jo sepse është Fatmiri, por sepse aty është shpirti qytetarë. Aty është fermeri, aty është ndërmarrësi, aty është mjeku, aty është mësuesi, aty është zejtari, aty është sportisti, aty është artisti, aty është i riu dhe plaku. Nëna dhe gruaja, babai dhe gjaku i djalit të tij dëshmorë, aty është martiri, aty është vet historia e vjetër dhe e re e këtij qyteti.

Normalisht, që Aleanca e Pejës, qetësisht, konform rezultatit numerik final të cilin po e pret, edhe do të shtrijë analizat e thukta në bazë të të cilave, me kokën e ftohtë, logjikën e shëndoshë dhe mendjen vizionare priten edhe reflektime.

Në fund, duke e shfrytëzuar këtë formë komunikimi me ju qytetarë, referuar nga interesimi i madh, dua të sqarojë se:

Fatmir Gashi është kryetar i degës së AAK-së në Pejë dhe si ekonomist shumë rrugë të jetës i ka të hapura.

Fatmir Gashi bashkë me kryeministrin dhe kryetarin e AAK-së, liderin Ramush Haradinaj do të mbetet pranë elektoratit, pranë ofertës, pranë dashurisë së pakompromis për Pejën e burrave, për Pejën e fjalës, për Pejën ekonomike, për Pejën, qytet të mirë për të punuar dhe për të jetuar.

Fatmir Gashi pavarësisht nga pozicionet dhe dallgët e jetës, kurrë nuk do të pushojë me aktivitetin e tij nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Fatmir Gashi e ka për privilegj familjar, që njihet dhe mbetet si një nga bashkëthemeluesit e degës në vitet 2000.

Fatmir Gashi si kryetar i AAK-së në Pejë, duke e ndarë krenarinë dhe suksesin me kolegët e degës, përjetësisht do ndjehet obligues ndaj të gjithë qytetarëve të komunës, të cilët në të dyja herat që dolën për të votuar (në proceset zgjedhore; 11 Qershori dhe 22 Tetori) i sollën ngritje të votës Aleancës në Pejë.

Fatmir Gashi e ka për nderë mundësinë që ju dha për këtë kandidim, pavarësisht rezultatit që duhet të kumtohet zyrtarisht nga KQZ.

Sinqerisht,

Fatmir Gashi

Kryetar i AAK-së – Pejë

the authorE B