Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë ka prezantuar raportin vjetor për zbatimin e projektit “Monitorimi i Gjykimeve për Krime Lufte dhe Vepra Penale me Prapavijë Politike dhe Etnike gjatë vitit 2016”.
Në prezantimin e këtij raporti u tha se në bazë të monitorimit të gjykimeve që janë mbajtur për krime lufte është konstatuar se viti 2016 nuk sjell shumë optimizëm që drejtësia do të vihet në vend dhe se do të përmbushen pritjet e familjarëve të viktimave.Po ashtu, u bë e ditur se gjatë vitit të kaluar kanë qenë katër gjykime për krime lufte në shkallën e parë, si dhe katër gjykime të tilla në shkallën e dytë, por që të gjitha këto gjykime kanë qenë vazhdim i lëndëve që janë hapur më herët.
Anka Kurteshi-Hajdari, koordinatore e projektit, e cila bëri prezantimin e raportit vjetor: “Koha kalon, Drejtësia për krime lufte zbehet”, tha se nga monitorimi që kanë bërë, viti 2016 nuk sjell shumë optimizëm që drejtësia do të vihet në vend.Po ashtu, ajo bëri të ditur se viti i kaluar do të mbahet mend edhe për një rekord tjetër negativ, sepse gjatë vitit të kaluar është regjistruar numri më i vogël i seancave gjyqësore në kuadër të lëndëve për krime lufte të proceduara pranë gjyqësorit kosovar në shkallë të parë apo të dyte.
Gjatë vitit të kaluar sipas saj nuk është regjistruar asnjë aktakuzë për krime lufte që është ngritur nga prokurorët e EULEX-it.Ndërsa potencoi faktin se në vitin 2016 për herë të parë është regjistruar ngritja e aktakuzave për krime lufte nga ana e prokurorëve vendor. Kurteshi-Hajdari tha se i duhet të konstatojë se edhe viti i kaluar kaloi në shenjë të dëshmitarëve të frikësuat.
Ata dëshmitarë që ishin të propozuar nga aktakuza, sipas saj kanë vazhduar që gjatë shqyrtimeve kryesore t’i ndryshojnë në mënyrë drastike dëshmitë e veta që i kanë dhënë në fazat paraprake të procedurës apo edhe më keq refuzonin të dëshmonin apo të paraqiten para gjykatave.Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha, tha se Kosova ka infrastrukturë ligjore për të luftuar krimet e bëra, por që ende ka shumë për t’u bërë në aspektin e zbatimit.Hoxha tha se të flasësh për këto krime është ndër temat më të vështira për secilin njeri, pasi që dëmet që kanë shkaktuar këto krime prekin të gjithë njerëzit. Prandaj sipas saj, institucionet duhet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për t’i mbrojtur me ligj.
Në anën tjetër, ambasadori i Britanisë në Kosovë, Ruairi O’Connell, tha se të flasësh për luftën nuk është e lehtë, pasi që lufta e la Kosovën me mbi 12 mijë persona të vrarë, mbi 6 mijë persona të zhdukur.
O’Conell përmendi me këtë rast se Kosova ka krijuar Gjykatën Speciale si përgjigje për të pastruar të kaluarën dhe se ka dëshmuar se nuk ka frikë për të gjykuar krimet që mund të jenë bërë.
Sipas ambasadorit britanik e ardhmja ka nevojë të ndërtohet mbi të vërtetën dhe të drejtën pavarësisht se sa e dhimbshme mund të bëjë.
Ndërsa shefja e Divizionit Ekzekutiv të EULEX Kosova, Katja Dominik, bëri të ditur se nga viti 2008 EULEX ka gjykuar 38 krime të luftës. Ajo tha se proceset kanë qenë të gjata sepse kanë kaluar shumë vite prej luftës dhe dëshmitë më të mëdha materiale kanë humbur.
Projekti “Monitorimi i gjykimeve për krime lufte dhe vepra penale të motivuara etnikisht dhe politikisht në Kosovë”, është përkrahur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës së saj në Prishtinë dhe Civil Rights Defenders./KosovaPress/