Luis Enrique, trajneri i Barcelonës, e pranon se nuk do ta kenë të lehtë ndaj Atletico Madridit. Por, strategu spanjoll nuk dëshiron tjetër veç fitores në ndeshjen e së mërkurës.
Barcelona dëshiron tu rikthehet fitoreve në Camp Nou, pas humbjes befasuese nga Alavesi. Edhe pse përballë do ta ketë një kundërshtarë të fortë, siç është Atletico Madrid, Luis Enrique nuk dëshiron tjetër veç fitores.
“Atletico e Madridit është e njëjta që kemi parë gjatë sezoneve të fundit, një nga skuadrat më të mira të La Liga. Ata janë shumë të rrezikshëm në goditjet standarde si dhe në kundërsulm. Ndaj një kundërshtari direkt si Atletico duhet të shmangim gabimet. Sa herë që jemi përballur me ta kemi hasur shumë vështirësi, por këtë radhë në “Camp Nou” na nevojitet fitorja”, ka deklaruar ai.
Atletico është një skuadër solide, me një mbrojtje që nuk lë asnjëherë hapësira. Madje edhe Messi e ka shumë të vështirë ta godasë portën. Por sipas Enriques për futbollistin më të mirë në botë e pamundura nuk ekziston.
“Nuk jam aspak i shqetësuar, sepse Leo është më i miri në botë. I kërkon hapësirat edhe atëherë kur nuk ka. Ne duhet të përpiqemi t’i shfrytëzojmë aftësitë e Leos, duke angazhuar lojtarë të tjerë në fazën sulmuese”, ka theksuar Enrique, i cili ka lavdëruar sulmuesin e Atleticos, Griezmann,
“Griezmann është një nga sulmuesit më të mirë në qarkullin dhe kjo që po them nuk është diçka e re dhe që përbën lajm.”, ka përfunduar strategu spanjoll. /Express/