Ndeshja e shumëpritur për tifozët mitrovicas në raundin e parë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve nuk ka përfunduar ashtu sikur e kishin pritur të gjithë.
Trepça’89 para shikuesve të vet sot pësoi humbje nga skuadra e Ishujve Faroe, Vikingur me rezultat 4-1 (6-2) dhe me kaq mori fund ëndrra e shumëpritur e skuadrës nga Mitrovica që të kualifikohet në raundin e dytë.
Takimi u zhvillua në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, e vlefshme në kuadër të rundit të parë kualifikues për Ligën e Kampionëve.
Pjesën e parë Trepça’89 e filloi me plotë vetëbesim, duke krijuar edhe disa raste të mira shënimi, por që nuk arritën t’i konkretizonin. Por, deri sa dukej se çdo gjë po shkonte në favor të Trepçës’89, sulmuesi Blernad Kurtishaj ndëshkohet me karton të kuq, për shkak të dy ndërhyrjeve dhe në minute e 34 le fushën e gjelbër, duke mbetur Trepça’89 me 10 lojtarë në fushë.
Nuk vonoi shumë dhe erdhi ndëshkimi i klubit nga ishulli, Vikingur kaloi në epërsi prej me golin e Anghel në minutën 37, ndërsa pas katër minutash Lawal thelloi epërsinë prej 2-0. Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë.
Deri sa pritej që Trepça’89 të sulmojë me të gjitha forcat për të rikthyer rezultatin në favor të saj, mysafirët vazhduan ta ndëshkojnë klubin mitrovicas. Vikingur shënoi golin e tretë ndaj Trepçës ‘89, të cilin e realizoi Vatnhamar në minutën e 52. Por me kaq nuk mbaroi furia e mysafirëve, pasi Vatnhamar shënoi golin e katërt në minutën e 60.
Krejt çka mundi të bëjë Trepça’89, ishte goli i nderit, të cilin e shënoi Florent Hasani në minutën e 65, raporton KosovaPress.
Pas golit të katërt, tifozët e Trepçës’89 kanë filluar të zbrazin stadiumin, për shkak të zhgënjimit të plotë në klubin e tyre. Ata shumë herë boritnin “Marre, marre, marre”.
Me këtë humbje Trepça’89 ka pësuar me rezultat të përgjithshëm 6-2, pasi e ka humbur edhe takimin e parë me rezultat 2-1.
Ndryshe, Trepça’89 është klubi i parë nga Kosova që arriti të luajë në garat kualifikuese të rrethit të parë në Ligën e Kampionëve, e cila ishte lojë historike për futbollin kosovar dhe klubin e Trepçës’89. /KosovaPress/





















