Sport

Ekspertit i futbollit gjerman, Michael Nees, angazhohet në Kosovë

​Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala dhe ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë Angelika Viets, sot kanë nënshkruar Deklaratën e përbashkët të qëllimit, e cila ka për qëllim forcimin e marrëdhënieve ekzistuese ndërmjet dy shteteve, si dhe përmirësimin e bashkëpunimit konkret në fushën e sportit.

Me këtë Deklaratë, të dyja palët kanë rënë dakord, me interesat dhe objektivat e përbashkëta sa i përket promovimit të sportit, e në veçanti futbollit.

“Synimi i kësaj deklarate të përbashkët të qëllimit, është që të përcaktojë detyrat e partnerëve, konkretisht, me delegimin e ekspertit të futbollit, Michael Nees, në Republikën e Kosovës, i cili, në marrëveshje me zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës, do të fokusohet në zhvillimin dhe zgjerimin e infrastrukturës së futbollit të Kosovës.

Po ashtu, detyrat e tij, në këshillim me Federatën e Futbollit të Kosovës, janë trajnimi themelor dhe i mëtejmë për trajnerët; Krijimi dhe implementimi i një programi për përmirësimin e strukturave të futbollit në nivel rajonal dhe kombëtar, me fokus të posaçëm në futbollin e fëmijëve dhe të rinjve, duke përfshirë futbollin e femrave dhe vajzave si dhe futbollin në shkolla; Organizmi dhe mbajtja e seminareve dhe kurseve për trajnime themelore dhe të mëtutjeshme të trajnerëve, mësimdhënësve sportiv për trajnerë dhe instruktorëve sportiv; Krijimi i një sistemi të qëndrueshëm të garave dhe ligës; Përfshirja e federatave regjionale (lokale) të futbollit në strukturat e federatës kombëtare të futbollit; Mbështetja e krijimit të ekipeve përfaqësuese të rinjve.

Deklarata e përbashkët e qëllimit, fillimisht do të zbatohet për një periudhë dyvjeçare, duke filluar me arritjen e ekspertit në Republikën e Kosovës, ndërsa zbatimi i saj mund të zgjatet në tre ose më së shumti katër vjet.

Ministri Shala dhe Ambasadorja Viets e vlerësuan si akt pozitiv nënshkrimin e kësaj deklaratë dhe shenjë të bashkëpunimit të mirë ndërmjet dy vendeve”, njofton MKRS./KosovaPress/