Një zgjidhje për çështjen e komplikuar të demarkacionit që po e mban peng liberalizimin e vizave,mund të gjendet pas disa javësh. Burime të Express bëjnë me dije se muajin e ardhshëm Kosovën pritet ta vizitojë Kryeministri i Malit të Zi Dusko Markovic me ftesë të Kryeministrit Ramush Haradinaj.
Kriza e ka shkaktuar nga çështja e demarkacionit mund të nis të zgjidhet pas disa javësh. Kryeministri i Malit të Zi pritet të qëndrojë në Kosovë nga data 20 deri më 30 janar vitin e ardhshëm, merr vesh Gazeta Express nga burimet.
Mbrëmë Haradinaj ka qëndruar në Bruksel, ku ka takuar shefin e Qeverisë së Malit të Zi, i cili po ashtu ka qëndruar në Kryeqytetin europian bashkë me 6 kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Marrëveshja për kufirin me Malin e Zi është dërguar në Kuvend, por ende nuk është nxjerrë në rend dite. Bashkë me të është dërguar edhe një raport i haruat nga Komisioni Bulliqi, ku thuhet se Kosova ka humbur tokë nga kjo marrëveshje.
Nuk dihet ende se kur do ta kenë deputetët e Kuvendit të Kosovës në agjendë këtë cështje. Sido që të jetë koalicioni aktual, sipas Kryeministrit Haradinaj e ka të vështirë t’i sigurojë 2/3 e votave të nevojshme për miratimin e kësaj marrëveshjeje.
Haradinaj para nisjes në Bruksel ka deklaruar se vizita e tij në Bruksel do të sjellë një lajm rreth kësaj teme. Mbetet të shihet se cili do të jetë reagimi i Malit të Zi për demarkacionin, kur dihet se zyrtarët e këtij shteti vazhdimisht kanë përsëritur se demarkacioni është temë kryer për ta.