Kosova po bënë përpjekjet e fundit që në mesin e saj të ftojë lojtarët më të mirë, të cilët tash e sa vite përfaqësojnë Kombëtare të tjera, në mënyrë që të jenë gati për kualifikimet e Kampionatit Botëror, që fillojnë me 5 shtator të këtij viti
Përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki ka bërë të gjitha përgatitjet, të gjitha gjërat e nevojshme që në Kombëtaren e Kosovës të vijnë dhe të luajnë futbollistët më të mirë, të cilët luajnë për Kombëtare të tjera.
Ai kohëve të fundit ka qenë mjaft aktiv në kontaktimin e këtyre futbollistëve, ku arriti që të bindë katër futbollistët e parë Milot Rashica, Alban Meha, Herolind Shala dhe Sinan Bytyqi që t’i bashkohen Kosovës.
Ai ditët e fundit ka kontaktuar dhe ftuar futbollistët më të mirë kosovarë që luajnë në Premierligën angleze, ku nga e premtja deri këtë të hënë ka biseduar me Valon Behramin (Watford), Xherdan Shaqirin (Stoke City), Adnan Januzajn (Manchester United/Sunderland), Granit Xhakën (Arsenal), Shani Tarashajn (Everton) dhe të tjerët, nga të cilët ka kërkuar që të vendosin nëse do të vijnë të luajnë për Kosovën.
Bunajki përveç yjeve të Premierligës, ka ftuar edhe golashënuesin më të mirë të kampionatit në Australi, Besart Berishën dhe mesfushorin e Chievos dhe Kombëtares së Finlandës, Përparim Hetemaj.
Kjo është konfirmuar nga Nënkryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili gjatë një bisede për Gazeta Express tha se, brenda pak ditësh do të dihet edhe vendimi i tyre.