Aktuale

Edhe Qendrat e VV-së duan kthimin e anëtarëve të dorëhequr

Njëzet e shtatë përfaqësues të Qendrave të Lëvizjes Vetëvendosje kanë mbajtur mbledhjen e tyre, ku kanë përkrahur kërkesën e Kryesisë drejtuar anëtarëve të dorëhequr që të kthehen në Kryesi dhe të diskutojnë për të gjitha problemet, por kanë kërkuan që zgjidhja e problemeve të bazohet në statutin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas VV-së, nën udhëheqjen e ushtruesit të detyrës së sekretarit organizativ, Ismajl Kurteshi, u mbajt mbledhja me kryetarët e Qendrave të Lëvizjes.

“Në mbledhje morën pjesë 27 përfaqësues të Qendrave, në mesin e tyre edhe tre përfaqësues të qendrave nga diaspora: Verim Mejzini nga Austria, Bekim Halimi nga Britania e Madhe dhe Mujë Shala nga Zvicra, ndërkaq dy kryetarë mungonin me arsye, kurse Kryetarët e Qendrave të tjera të Lëvizjes nga diaspora mbledhjen e ndoqën përmes skajpit. Në këtë mbledhje u diskutua rreth situatës së krijuar në Lëvizjen VETËVENDOSJE! pas dorëheqjeve të Kryetarit të saj dhe disa anëtarëve të Kryesisë, si dhe për procesin zgjedhor për Kryetar të Lëvizjes. Kryetarët e Qendrave u njoftuan me kërkesën e Kryesisë drejtuar anëtarëve të dorëhequr që të kthehen ne Kryesi dhe të diskutojmë për të gjitha problemet. Ata e përkrahën kërkesën e Kryesisë drejtuar anëtarëve të dorëhequr por kërkuan që zgjidhja e problemeve të bazohet në Statutin e Lëvizjes VETËVENDOSJE. Në lidhje me përgatitjet për zgjedhjen e Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje të pranishmëve u foli Adnan Rrustemi, në cilësinë e kryetarit të KZP-së”, thuhet .

Në këtë takim u fol edhe për iniciativën e 43 deputetëve të PAN-it për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Kryetarët e Qendrave ishin të mendimit se qëndrimi i Lëvizjes në lidhje me këtë çështje ka qenë i drejtë, e iniciativa për shfuqizim ishte e papërgatitur dhe e pasinqertë, meqenëse prirej prej interesave personale e jo atyre kombëtare e shtetërore./KosovaPress/

the authorE B