Aktuale

Edhe presidenti Thaçi lëshon pe ndaj Speciales, 43 deputetët mbesin vetëm

Iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale ndau në dy grupe për nga qëndrimet edhe liderët e shtetit. Në fillim të gjithë ishin kundër, duke filluar nga Presidenti i Kosovës e deri te disa deputetët. Mirëpo, pas disa takimeve të ambasadorëve e po ashtu edhe nga mesazhet e drejtpërdrejta nga ndërkombëtaret, se me shfuqizimin e Speciales Kosovës do t’i kthehet shpina nda ata që e ndihmuan, edhe qëndrimet e liderëve filluan të ndryshojnë.
Te enjten Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencën për media në prag të 10-vjetorit, ka folur për iniciativën e deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Ai përfundimisht ka ndërruar qëndrim, sepse sot potencoi se Gjykata Speciale nuk mund dhe nuk do të shfuqizohet

Presidenti Thaçi ka shpjeguar pse në vitin 2015 kishte qenë aq pro krijimit të Gjykatës Speciale, që tani e konsideron padrejtësi historike që i është bërë Kosovës.

Thaçi ka thënë se mundësia e krijimit të një gjykate përmes sponsorizimit të Rusisë në OKB dhe vendeve të tjera që nuk e kanë njohur Kosovën, e kanë shtyrë atë të jetë pro krijimit të Gjykatës Speciale.

Si përfundim, Thaçi tha se Gjykata Speciale nuk mund dhe nuk do të shfuqizohet.

“Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohet dhe nuk do të shfuqizohet. Ky është qëndrimi i shtetit dhe jo opinioni”, ka thënë Thaçi.

Tërheqja e Thaçit për shfuqizimin e Speciales vjen pasi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli kishte bërë të ditur qëndrimin e tij kundër iniciativës së zhbërjes dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili në një intervistë për DË ka thënë se shfuqizimi nuk duhet të kalojë.

I pari i vendit foli edhe për akuzat që i janë bërë si ideator i nismës për shfuqizim të Speciales, duke thënë se ai nuk ka ndikim te deputetët, që kanë kërkuar zhbërjen e Speciales. Gjykatën Speciale nuk ua solla unë, por atë e sollën rrethanat. Kjo është fjalia e Presidentit Thaçi i cili në këtë mënyrë mohon se ishte promotori kryesor për themelimin e kësaj Gjykate.

Në konferencën për media kur foli për të arriturat, tash tha se Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohet.

Presidenti foli edhe për vizat. Ai ia vuri fajin vetëm opozitës që pengoi Demarkacionin. Ai ka numëruar të arriturat teksa Kosova pas 10 vjetëve shtet është vendi më i izoluar. Mirëpo, Presidenti shikon anën pozitive përgjatë kësaj dekade, duke fajësuar vetëm opozitën për pengimin e ratifikimit si arsye e mosliberalizimit të vizave

Thaçi thotë se gjatë këtyre 10 vjetëve Kosova ka pasur një rrugë të suksesshme proevropiane, ndërsa nuk mund të thuhet se ka ngecur përderisa konsideron se shteti është konsoliduar.

“Nuk është e lehtë për t’u konsoliduar shteti gjithinstitucional. Kemi bërë reformë rrënjësore demokratike, reforma në drejtësi, kemi zhvilluar zgjedhje demokratike”, ka thënë i pari i vendit.

E për izolimin e Kosovës, Presidenti i ka vënë fajin opozitës që gjatë mandatit të kaluar kishin penguar ratifikimin e Demarkacionit, si kusht për liberalizimin e vizave.

Thaçi refuzon t’i përmendë faktorët e tjerë, madje edhe tentativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, që u pa nga ndërkombëtarët si vulë për izolim.

“Kosova është përballur kohëve të fundit me bllokada. Kosova s’ka pasur traditë armiqësinë politike”, ka thënë Presidenti, duke përmendur edhe veprimet e opozitës me gaz lotsjellës në Kuvend kur po tentohej të ratifikohej Demarkacioni.

“Sikur të ratifikohej Demarkacioni, puna e liberalizimit të vizave do të kryhet”, tha Presidenti Thaçi.

Me tërheqjen e Hashim Thaçit nga shfuqizimi i Gjykatës Speciale u vulos zmbrapsja e tre liderëve shtetërorë që konsideroheshin ideatorë të nismës për zhbërjen e Speciales. Analisti Shkëlzen Maliqi thotë se pas aventurave që u bën për një muaj me tentimin e shfuqizimit të Speciales, tërheqja nga kjo ide ishte epilogu më i mirë i mundshëm. Ai thotë se treshja, me këtë iniciativë, provoi të mësojë nëse edhe ata do të jenë në mesin e të akuzuarve.

Kadri Veseli kishte pritur vitin e ri për të dalë me një kolumne ku kishte treguar se ai nuk është pro shfuqizimit të Gjykatës Speciale, edhe pse deputetët e partisë që ai drejton ishin nismëtarët e kësaj në Kuvend. Dje në një intervistë për DË, kryeministri Ramush Haradinaj tha se shfuqizimi i Gjykatës Speciale nuk duket se do të kalojë.

Ndërsa, i treti Presidenti Hashim Thaçi që së fundmi ishte shumë i revoltuar me ndërkombëtarët dhe ekzistencën e Gjykatës Speciale, që vetë kishte kontribuuar në krijimin e saj, sot përfundimisht tha se Specialja nuk mund dhe nuk do të shfuqizohet.

Analisti Shkëlzen Maliqi për Gazetën Express ka komentuar tërheqjen e treshes që mendoheshin se po përmes nënshkrimeve të 43 deputetëve po tentonin zhbërjen e Speciales.

“Ka qenë e qartë edhe më herët se nuk do të vazhdohet me këtë procedim. Tash u bë edhe formalisht u pranu”, ka thënë analisti.

Maliqi thotë se zmbrapsja erdhi pasi është krijuar atmosfera se nuk bën të prishen marrëdhëniet me ndërkombëtarët, të cilët u alarmuan se shfuqizimi i Speciales do të thoshte izolim total i Kosovës.

“Është kriju atmosfera se nuk bën me u prish me partnerët strategjikë dhe ky është përfundim i logjikshëm i kësaj nisme”, është shprehur Maliqi.

Sipas Maliqit, nisma për zmbrapsjen e Gjykatës nuk do të kishte asnjë efekt, marrë parasysh se ajo është funksionalizuar dhe nuk do të merrej parasysh çfarëdo tentative nga Kosova.

“Kjo nismë s’do të kishte asnjë efekt sepse gjykata tashmë është funksionale dhe nëse Kosova do të hiqte dorë nga përkrahja, ajo do të vazhdonte në formën tjetër me stafin e njëjtë, e ndoshta edhe me përfaqësimin e disa shteteve si Rusia, kështu që ky është epilogu më i mirë”, ka treguar Maliqi.

Por, pse u kthyen mbrapa Veseli, Haradinaj e Thaci?

Analisti thotë se u treguan pasojat dhe u pa që nuk arrihet asgjë. E, krejt ajo zhurmë për shfuqizimin e Speciales, sipas Maliqit, mund të ketë qenë manovrim për të zbardhur fatin e tyre me të filluar punën kjo gjykatë.

“E kanë pa se pasojat janë të e rënda dhe nuk arrihet asgjë me këtë politikë. Por, ndoshta ka qenë edhe një manovër politik për me e kuptu prapavijën a do të jenë të akuzuarit edhe dikush prej tyre edhe të bëjnë presion që kjo gjykatë të mos të shtrihet deri shtrihet deri te nivelet më të larta. Nuk jemi të sigurt nëse është arritur ndonjë marrëveshje të fshehtë”, është shprehur Maliqi.

Për më shumë se një muaj kur u fol për zhbërjen e Speciales, pasojat nga kjo iniciativë, e për prishjen e raporteve me ndërkombëtarët, tërheqja dhe lënia e rrjedhjes së Gjykatës, sipas Maliqit ishte epilogu më i mirë.

the authorE B