E veja e ushtarit të rënë amerikan ka thënë se presidentit Donald Trump nuk i ishte kujtuar emri i burrit të saj gjatë bisedës kontroverse telefonike mes tyre.
Myeshia Johnson, e veja e ushtarit La David Johnson, ka thënë për ABC News se fakti që presidenti nuk ia kishte mbajtur në mend emrin burrit të saj e kishte lënduar atë më së shumti, transmeton Express.
“Nëse burri im lufton për vendin tonë dhe e rrezikon jetën për vendin tonë, pse nuk mund t’ia mbani në mend emrin?” ka shtuar ajo.
La David Johnson u vra në Niger nga militantët islamikë gjatë këtij muaji.
Myeshia Johnson ka thënë se telefonata e presidentit Trump e ka bërë të qajë “për shkak se isha e zemëruar me tonin e zërit të tij”.
“Ai e kishte raportin mbi burrin tim para vetes, dhe vetëm atëherë tha La David. E dëgjova duke ngecur në tentim për ta mbajtur në mend emrin e burrit tim”, ka shtuar ajo.