Sport

E ardhmja e Mesut Ozil tek Arsenali në dyshim

Trajneri i Arsenalit, Unai Emery, nuk pranoi të japë siguri publike për të ardhmen e Mesut Ozil në stadiumin “Emirates”, pasi edhe një herë e la lojtarin jashtë planeve të ekipit të tij të parë.

Ozil u përjashtua nga skuadra e “Topçinjve” në përballjen me rivalët e veriut të Londrës, Tottenham, në “Carabao Cup”, të mërkurën. Kjo situatë nënkupton se Ozil ka luajtur vetëm dy ndeshje për Arsenalin në më shumë se një muaj, duke përfshirë 20 minuta larg stolit në humbjen 3-2 të së dielës, në Southampton.

Por, trajneri Emery iu shmang disi pyetjeve në lidhje me mundësinë e shitjes së lojtarit në janar, ndërsa këmbënguli se vendimi për të mos e aktivizuar ishte taktik: “Ishte një vendim taktik, sepse mendova të hedh në fushë lojtarët më të mirë për këtë ndeshje”.

Sipas trajnerit spanjoll, Ozil ishte i pranishëm në “Emirates” të mërkurën për të mbështetur shokët e tij të ekipit në ballafaqimin me rivalët më të ashpër.

“Trajneri mendon për çdo lojtar që ka në dispozicion, 24 apo 25 të tillë. Vendimet i marr unë. Po mendoj për ndeshjen e të shtunës, për asnjë situatë tjetër. Çdo lojtar është i rëndësishëm. Nëse kam vendosur që njëri prej tyre nuk do të luajë, ky është vetëm një vendim taktik”, tha ai. /FaktePlus