Sport

Drejtori i KEK-ut e blen KF KEK-un (Dokument)

Njeriu i dytë në Korporatën Energjetike të Kosovës, Njazi Thaqi, është njëri ndër pronarët që e ka blerë Klubin futbollistik të Korporatës FC “KEK”-u.

KF KEK është klub futbollistik nga Kastrioti dhe merr pjesë në ligën e parë të Kosovës. Emri KEK është shkurtesë për Korporata Energjetike e Kosovës, e cila deri më tani e ka sponsorizuar këtë ekip. Para disa ditësh, ky klub është bërë me pronarë të rinj, njëri ndër ta është edhe Njazi Thaqi, drejtor operativ në KEK, shkruan lajmi.net.

Sipas Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), aksionarë është edhe ish-Drejtori i Gjenerimit në KEK, Istref Klinaku dhe Drejtori operativ i KEK-ut. Po ashtu pronarë janë edhe Mehmet Krasniqi, Agron Shala, Ajet Berisha, dhe kompania gjermane ‘Rahmer Solution Kosova’.

Sipas ARBK-së FC “KEK” SHPK është shoqëri aksionare dhe kapitali i deklaruar për këtë biznes është 10 mijë euro.

Klubi futbollistik KEK është pasardhës i klubit të vjetër të Kastriotit. Klubi i vjetër ka qenë kampion i Kosovës dhe pjesëmarrës në ligën e dytë federative të Jugosllavisë. Pas përfundimit të luftës në vitin 1999 KF KEK i filloi garat në kategorinë e dytë të futbollit, që asokohe quhej Liga e Dytë e Kosovës. Gjatë sezonit 2002/03 KF KEK nën udhëheqjen e Bylbyl Sokolit u shpall kampion i kategorisë së dytë (Liga e Dytë) dhe hyri në kategorinë e parë (Liga e Parë) të futbollit në Kosovës. /Lajmi.net