Aktuale

Drejtori i Departamentit të sportit parkon automjetin në hapësira publike të gjelbëruara

Drejtori i Departamentit të sportit në Mitrovicë, Fehmi Fejza, ka parkuar sot automjetin e tij në hapësirat e gjelbëruara të oborrit para Muzeut në Mitrovicë, duke shkelur kështu Rregulloren për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit.

I kontaktuar nga KosovaPress, Fejza ka pranuar se ka parkuar automjetin e tij në një vend ku nuk lejohet parkimi, por që është arsyetuar se nuk ka pasur vend tjetër për parkim në oborr.

“Po kam parkuar automjetin mbi hapësira të gjelbëruara me plot vetëdije. Nuk ka pas vend ku me parku tjetër. Ti po më njeh kush jam dhe po e din që është keri im. Shkruaj shlirë”, ka thënë Fejza përmes telefonit.

Në anën tjetër, Fidan Ademi, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS) në komunën e Mitrovicës, ka shprehur keqardhje për një veprim të tillë të Fejzës.

“Vërtetë më vjen keq për një veprim të tillë. Do t’ia tërheqë vërejtjen dhe një gjë e tillë nuk do të përsëritet”, ka thënë për KosvaPress Ademi.

Ndërsa, zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka bërë të ditur se në rastet e tilla, përgjegjës është institucioni brenda të cilit është parkuar automjeti.

Sipas tij, policia ndërhynë në raste të tilla vetëm nëse ka kërkesë nga udhëheqësit e institucionit, dhe në këtë rast nuk ka pasur kërkesë të tillë, andaj edhe nuk është reaguar.

KosovaPress-i ka kërkuar nga drejtori i Muzeut të qytetit, Hajrulla Mustafa, të tregojë çfarë masash po ndërmerr në raste të tilla dhe nëse këto raste denoncohen në polici.

“Sot kemi diskutuar me drejtorin e DKRS-së pikërisht për këto raste, dhe jemi marrë vesh që ato të mos ndodhin më asnjëherë”, tha shkurt Mustafa.

Ndryshe, ky oborr dhe brenda këtij objekti veprojnë disa institucione, si Muzeu i Qytetit, Shkolla e Muzikës, Shoqata e të Pagjeturve, Qendra Operative Emergjente dhe Shoqata e Gazetarëve.

Një punëtor i njërit nga institucionet që veprojnë në kuadër të këtij objekti, ka fol në kushte të anonimitetit për KosovaPress, se drejtori Fejza gati gjithmonë e parkon automjetin e tij në hapësira të gjelbëruara, edhe atëherë kur ka vend në parkingun e këtij oborri. /KosovaPress/

the authorE B