Sport

Dominim total i Federer, i fiton 3 çmime të fund vitit

Roger Federer i ka fituar pothuajse të gjitha çmimet e fund vitit të ATP-së të enjten në Londër.

Zvicerani e fitoi çmimin “Fan Favourite” i parapëlqyeri i tifozëve, për të cilin votojnë tifozët e tenisit nga e gjithë bota, për herë të 15-të më radhë, transmeton Express.

Po ashtu, numri 2 i botës e fitoi edhe çmimin “Comeback Player of the Year” apo rikthimi i vitit, pasi u rikthyer pas gjashtë muajve pushim si pasojë e një lëndimi, për t’i fituar shtatë tituj në vitin 2017 (2 grand slams dhe 3 ATP masters 1000).

Sikur nuk mjaftoi më kaq, 36-vjeçari po ashtu e fitoi çmimin “Stefan Edberg Sportsmanship Award”, i cili votohet nga tenistët profesionistë dhe i dhurohet lojtarit më korrekt. Ky ishte viti i shtatë me radhë dhe i 13-ti në përgjithësi që Federer e rrëmben këtë çmim.

Megjithatë, Federer nuk i fitoi të gjitha çmimet, pasi Denis Shapovalov u shpall lojtari më i përmirësuar i vitit. /Express/