Aktuale

Djegia e kontejnerëve në Prishtinë, kompani nuk ka mundësi t’i zëvendësojë

Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi”, Sh.A-Prishtinë ka njoftuar lidhur me gjendjen alarmante e cila është krijuar nga djegia e kontejnerëve të plastikës që po vazhdon të përsëritet tash e sa muaj në qytetin e Prishtinës, duke thënë se nuk kanë mundësi t’i zëvendësojnë dhe si rezultat i kësaj qyteti mund të bëhet kaos i mbeturinave.

Sipas njoftimit të kompanisë, më 26.07.2017 në orët e vona , në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, është djegur një kontejnerë i shërbimit të mbeturinave, ndërsa dy kontejnerë të tjerë në rrugën “Fehmi Lladrovci”.

“Ndërsa, me dt. 27.07.2017 janë djegur edhe 6-kontejnerë të tjerë, 1-kontejnerë në Rr. “Galibardi”, ndërsa 5 të tjerë te parkingu mbrapa Postes së Madhe. Po ashtu, njoftojmë opinionin publik se dukuria e djegies së kontejnerëve nuk ka të ndalur që nga vendosja e tyre nëpër pikat përkatëse për hedhjen e mbeturinave, të cilët po vazhdojnë të diegën dhe shkatërrohen nga qytetarë të pa përgjegjshëm. Nga kjo gjendje e krijuar në qytet, Kompania “Pastrimi”, njofton se nuk ka mundësi të bëjë zëvendësimin e kontejnerëve të djegur dhe si rezultat i kësaj qyteti mund të bëhet kaos i mbeturinave.Kërkojmë nga qytetarët të jenë të kujdesshëm në ruajtjen e kontejnerëve si dukuri negative e cila duhet të dënohet, ndërsa institucionet kompetente, të cilat në bazë të përgjegjësisë së tyre të marrin vendimet e duhura për parandalimin e kësaj dukurie”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, që nga vendosja e kontejnerëve të plastikës, nga fundit i vitit 2016 e deri më tani janë djegur afro 50 kontejnerë të plastikës./KosovaPress/

the authorE B