Është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit, Gani Bernjashi i cili dyshohet se mbyti djalin e tij 14 vjeçar nga dhuna e tepërt e ushtruar ndaj këtij të fundit me shkop druri, nën arsyetimin se ai ia ka marrë 1 mijë euro.
Kallxo.com ka siguruar vendimin e Gjykatës Themelore të Gjilanit, në të cilin thuhet se “.. mbrojtësi i të pandehurit Gani Bernjashi, avokati Begzad Hajrullahu e ka kundërshtuar kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, ndërsa i ka propozuar gjyqtarit të procedurës paraprake, që ndaj të pandehurit të caktohet masa e arrestit shtëpiak…”.
Sipas vendimit, gjyqtari i procedurës paraprake (Agim Ademi) pasi që ka shqyrtuar të gjitha shkresat e lëndës dhe i ka dëgjuar pretendimet e palëve, ka ardhur në përfundim se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Gjilan, departamenti për krime të rënda, për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit është e bazuar.
“Sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit Gani Bernjashi dhe se, duke i marrë për bazë të gjitha ato që u thanë më lart, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale, ndërsa propozimin për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, si masë e mjaftueshme për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë të propozuar nga mbrojtësi i të pandehurit, refuzohet duke konsideruar si të pamjaftueshme për këtë fazë të procedurës”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Gjatë ditës së djeshme Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku i tha se, Gani Bernjashi ushtroi dhunë në djalin e tij 14 vjeçar nën arsyen se ky i fundit i kishte marrë 1 mijë euro nga 3 mijë sa kishte gjithsej.
E gjitha kjo nisi kur Gani Bernjashi u kthye nga një banjë shëruese në shtëpi, dhe kishte hasur se i mungonin 1 mijë euro.
Bernjashi dyshohet se kishte rrahur për vdekje djalin e tij 14 vjeçar dhe kishe sulmuar vajzën e tij 17 vjeçe në të njëjtën kohë duke i shkaktuar kësaj të fundit lëndime trupore.
Pas rrahjes, Bernjashi kishte mbyllur djalin e tij në një dhomë dhe nuk e kishte kontrolluar fare, pas disa orëve e kishte vërejtur se djali i tij nuk po jep shenja jete, me atë rast familjarët kanë kërkuar ndihmën e Policisë.
Kryeprokurori i ka thënë se gjatë ditës së djeshme, se Gani Bernjashi i ka gënjyer Policinë se djali i tij ka bërë aksident deri sa hetuesit e kanë zbuluar se 14 vjeçari ka pasur shenja dhune në trup.