Janë zhvilluar të gjitha ndeshjet e javës së 35-të në Vala Super Ligën e Kosovës.
Derbi i qytetit mes Gjilanit dhe Dritës, ishte ndeshja kryesore e kësaj jave në Super Ligë. Skuadra e Dritës ka arritur të marrë një fitore jetike përballë rivalëve të përbetuar duke triumfuar 1:0, që u jep shpresa atyre për mbijetesë në elitën e futbollit kosovar.
Përparim Livoreka ishte hero i ekipit të Dritës, duke realizuar golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 87-të të takimit.
Prishtina siguron vendin e dytë në tabelë, pas fitores 1:0 ndaj kampionit të ri të Kosovës, Trepçës 89’. Gauthier Mankenda shënoi golin e vetëm të takimit në minutën e 10-të.
Llapi triumfoi ndaj Drenicës 4:1. Florim Bërbatovci (47’), Hamdi Namani me dy gola në minutat 74 e 83 dhe Edon Zeqiri në të 89-tën, shënuan në fitoren e skuadrës nga Podujeva. Për Drenicën realizoi, Kreshnik Uka në minutën e 58-të. Ekipi nga Skenderaj e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të Adnan Haxhajt në minutën e 70-të.
Nuk ka fitues mes Feronikelit dhe Lirisë u ndanë 1:1. Behar Maliqi i dha epërsinë ish-kampionit me një gol nga penalltia, ndërsa një pikë shumë të rëndësishme skuadrës prizrenase ia siguroi Ilir Mustafa në minutën e 87-të.
Besa iu kthye fitoreve, pasi mundi 1:0 Ferizajn. Xhevdet Shabani (57’) i siguroi tri pikët ekipit pejan.
Dy skuadrat që tashmë janë përshëndetur me Super Ligën, Hajvalia e Trepça luajtën pa gola mes vete.