Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka thënë se ka kërkuar nga kreu i mëparshëm i Qeverisë, Isa Mustafa, shkarkimin e Murat Mehës nga kreu i Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi.
“I kam bërë apel publik kryetarit të partisë sime, akademikut Isa Mustafa, që të shkarkojë Mehën”, ka treguar Rugova në RTV Dukagjini.
Rugova ka thënë se ia ka bërë këtë kërkesë Mustafës pasi “u elektrizua tej mase situata politike në Kosovë dhe shoqëria kosovare u nda”.
“Nuk kishim pra konsensus nacional”, është shprehur Rugova.
Meha dhe i tërë Komisioni shtetëror për demarkacion janë shkarkuar nga kryeministri i ri i vendit, Ramush Haradinaj, në ditën e tij të parë të punës si shef i ekzekutivit.