Deputetët e LDK-së e kanë përgënjeshtruar liderin e tyre, Isa Mustafën, i cili pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, deklaroi se sa i përket çështjes së demarkacionit me Malin e Zi, LDK-ja ka qëndrim unik.
Por këto deklarata të Isa Mustafës deputetët e LDK-së po i përgënjeshtrojnë deputetët. Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se qëndrimi i tij sa i përket çështjes së demarkacionit me Malin e Zi vazhdon të jetë i njëjtë.
“Nuk ka asgjë të re që të ndryshojë diçka. Kryeministri foli në emër të LDK-së, i takon të thotë, por votimi në Kuvend do ta dëshmojë se kush çfarë mendon. Qëndrimi im sa i përket kësaj çështje vazhdon të jetë i njëjtë”, ka thënë për Gazetën Express, të enjten Arben Gashi.
Ndërkaq, edhe deputeti tjetër nga radhët e LDK-së, Fatmir Rexhepi, ka thënë se vota e tij sa i përket çështjes së demarkacionit do të bëhet në konsensus me të gjitha grupet parlamentare. “Varianti i cili nuk ka konsensus parlamentar, nuk duhet të kalojë. Ne nuk kemi kredit politik që të japim zgjidhje të cilat nuk janë në pajtim me qytetarët. Qëndrimet politike mund të interpretohen sido, dje u tha që është mënyrë unanime, por situata nuk është bash ashtu. Në asnjë variant vota ime nuk do të jetë pa marrëveshjen e të gjitha grupeve parlamentare”, ka thënë ai.
Tutje Rexhepi shtoi se gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të LDK-së pavarësisht se kanë dashur që të flasin, atyre nuk u ka ardhur radha. “Dje ne ishim në rend të flasim në mbledhjen e këshillit, nuk na erdhi radha, kështu që ne do të flasim në parlament”, ka thënë ai. Ai shtoi se vendimin e tij për demarkacionin do ta japë në Kuvend.
“Unë i takoj grupit të deputetëve të LDK-së që mendon se vendit i duhet liberalizimi i vizave por edhe demarkacioni. Pra nuk jemi kundër liberalizimit të vizave dhe kundër demarkacionit. Por sa i përket qëndrimit të cilin e ka dhënë komisioni ndërshtetëror unë mendoj që ai duhet të shkojë në parlament”, ka thënë ai.
Edhe deputeti tjetër nga ana e LDK-së, Shpejtim Bulliqi, pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të LDK-së, në Facebook ka deklaruar se po i bëhet presion për kundërshtitë e tij rreth çështjes së demarkacionit. “Presioni që është bërë se ne që po kundërshtojmë ketë formë të demarkacionit nga lidershipi ynë për mua ka qenë antikushtetues dhe joparimor dhe jo me interes për ta zgjidhur situatën në drejtimin e duhur por për ta tensionuar edhe më shumë”, ka shkruar ai.
Mustafa dje tha se ka kërkuar edhe nga deputetët e partisë që të respektojnë qëndrimin e LDK-së. “Ne nuk i detyrojmë deputetët si të votojnë por deputetët që e respektojnë LDK-në duhet t’i përmbahen këtij vendimi. Unë pres që deputetët ta respektojnë partinë që i ka sjellë në Kuvend. Unë nuk paragjykoj por pres që ata do ta respektojnë qëndrimin e LDK-së dhe asnjë nuk ka të drejtë që për qëllime personale ta mbajë peng popullin e Kosovës. Ne nuk kemi pasur vendim më të madh se sa t’ua heqim qytetarëve regjimin e vizave”, tha ai.