Edhe pse ishte menduar që dje në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit do të procedohej Projektligji për Demarkacionin, një gjë e tillë u rrëzua. Kjo pasi që, sipas përfaqësuesve politikë duhet të ketë një konsensus që të votohet kjo Marrëveshje, e cila është bllokuar tash e dy vjet
Kryesia e Kuvendit, të hënën ka vendosur që Demarkacionin të mos e procedojë në seancën e radhës, pa u krijuar një konsensus politik. Me shumicë votash Kryesia vendosi që Demarkacioni të shqyrtohet në mbledhjet e radhës, sapo të arrihet konsensus.
LDK-ja ishte pro miratimit të Demarkacionit dhe për ta votuar në seancë, ndërsa Vetëvendosja abstenoi.
Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, ka treguar të hënën se në mbledhjen të Kryesisë është vendosur që shqyrtimi i Projektligjit të Demarkacionit dhe dërgimi i këtij Projektligji për votim, të bëhet vetëm pasi të arrihet konsensusi politik.
“Kërkova nga kryesia që kjo të bëhet në një moment më të përshtatshëm”, ka thënë Veseli.
Ai ka treguar që ky vendim është marrë në unanimitet, përveç Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët kanë refuzuar që çështja e Demarkacionit të shtyhet, duke kërkuar që kjo të dalë në votim sa më parë.
“Patëm unanimitet, përveç Lidhjes Demokratike, që insistoi që kjo të dalë menjëherë në seancë”, tha ai.
E, për zgjidhjen e çështjes së demarkimit që është bllokuar që nga viti 2015, Veseli ka thënë se po punojnë ngadalë, por sigurt, deri në gjetjen e një zgjidhjeje, raporton Gazeta Express.
“Kjo është edhe arsyeja që po lëvizim dalëngadalë, por sigurt. Kuvendi i Kosovës nuk do të jetë skenë teatrale”, ka thënë Veseli.
Veseli dje, gjithashtu, ka folur edhe për vizitën e sotme të kryeministrit të Malit të Zi, Dusko Markoviq, në Kosovë.
“Pres një konfirmim të partneritetit, çështja e kufirit nuk do të na ndajë në integrimin euroatlantik. Për Kosovën është shumë me rëndësi që Mali i Zi ka qëllime 100 për qind të njëjta në rrugën evropiane”, është shprehur Veseli.
Mirëpo, pasi që Demarkacioni nuk është proceduar në Kuvend, Avdullah Hoti, nga LDK-ja tha se ky veprim është i gabuar.
“Përveç pikave që keni parë, pika kryesore që do të duhej të ishte në seancën e së enjtes do të duhej të ishte pika për demarkacionin por partitë në pushtet e shtynë për seancën e radhës e kjo është për keqardhje”, shtoi ai.
“Po bëhen tri vjet që kjo temë po sillet poshtë e lart. Ky koalicion është formuar për vendime të mëdha. Por shihet se ky koalicion është shpartalluar. Më nuk i duhet vendit një Qeveri e tillë”, tha Hoti.
Gjithashtu të hënën menjëherë pas mbledhjes së Kryesisë, Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës priti në takim shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova. Në takim u diskutua për situatën e përgjithshme në vend, me theks të veçantë për Demarkacionin, shkruan Gazeta Express
Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK- së, Avdullah Hoti, së bashku me deputetët Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku, Doruntinë Maloku, Driton Selmanaj, Ilir Deda dhe Korab Sejdiu pritën në takim shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Në një komunikatë dërguar nga LDK-ja thuhet se në takim u diskutua për Marrëveshjen për shënjim të kufirit me Malin e Zi.
“Hoti shprehu kundërshtimin e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike lidhur me heqjen e kësaj pike nga rendi i ditës për seancën e radhës”, thuhet në komunikatë.
Ndërsa, Apostolova thuhet se ka informuar Hotin dhe deputetët se zyra e BE-së për Kosovën, nesër do ta bëjë publike Strategjinë e Zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Gjithashtu, ka njoftuar ata për prioritetet e BE-së për periudhën e ardhshme, si dhe ofroi mbështetje për deputetët për zbatimin e reformave të cilat burojnë nga MSA-ja dhe mekanizmat përkatës të saj
Derisa dje nuk u pajtuan që Demarkacioni të shkojë në Kuvend, sipas burimeve qeveritare kjo marrëveshje ndërkombëtare nuk do të marrë epilog as sot, kur në Prishtinë do të vijë për vizitë zyrtare kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq.
Kjo çështje nuk është as pjesë e agjendës së takimit me kryeministrin Ramush Haradinaj.
Një anëtar i kabinetit qeveritar i ka thënë gazetës në kushte anonimiteti se nga kjo vizitë nuk do të marrë ndonjë kthesë çështja e kufirit me fqinjin perëndimor.
“Prej fillimit kur është përgatitur agjenda, ka qenë e menduar të flitet më shumë rreth bashkëpunimit ekonomik e tregtar sesa për demarkacion. Është temë që ngrihet në takim, por nuk ka ndonjë formulë magjike për t’i dhënë kthesë këtij problemi”, ka thënë ky burim.
“Pra, është vizitë bilaterale që në fokus i ka krejt temat e tjera, por jo edhe demarkacionin dhe pritjen që mund të ndodhë farë kthese nesër në vizitë dhe takim. Absolutisht jo”./GazetaExpress/