A do të vazhdojë të jetë LSI aleate e PS edhe për zgjedhjet e 18 qershorit? Edi Rama i ka bërë ftesë publikisht, por Meta e ka kushtëzuar me zgjidhjen e krizës politike. Në PS askush nuk e ka të qartë çfarë do të vendosë aleati që i solli dhe i mban në pushtet. Por që tani Meta ka nisur të shihet më shumë si kundërshtar, sesa si pjesë e koalicionit. Ky perceptim është i dukshëm në debatet që zhvillohen brenda PS, si ai i djeshmi në grupin parlamentar.
Debatet në grupin e PS
Gramoz Ruçi: Nesër do të kemi seancë të jashtëzakonshme plenare, për ngritjen e komisionit “ad hoc” për vettingun dhe prania e të gjithëve është e detyrueshme. Ne do të votojmë pro ngritjes së këtij komisioni, duke propozuar tre emra të mazhorancës. Nga ana jonë propozohen emrat e deputetëve Vasilika Hysi dhe Ulsi Manja, ndërsa një vend i takon LSI.
Erjon Braçe: Shumë qartë kryetar. Ne po shkojmë në këtë komision të rëndësishëm me dy emra nga ne e një nga aleati ynë LSI. Puna është se po shkojmë pa ditur se ku po shkojmë. Sot e kemi aleat, nesër nuk e dimë do ta kemi apo jo. Si na garantohet balanca e komisionit të vettingut pastaj, nëse LSI nuk vijon të jetë pjesë e koalicionit?
Gramoz Ruçi: Ne sot po flasim në emër të koalicionit, dhe koalicioni ka këtë përbërje. Ky nuk është një diskutim që na takon ta bëjmë ne këtu. Nesër do të ketë tre emra në emër të mazhorancës. Kaq. Në rrethana të tjera, flasim prapë.
Debati për ligjet
Gramoz Ruçi: Ditën e enjte kemi po ashtu një seancë të ngjeshur. Do të kemi dhe një mbledhje të Konferencës së Kryetarëve dhe dua që disa ligje të rëndësishme t’i fusim në kalendar për t’i miratuar brenda këtij sesioni. E kam fjalën për ligjin e përpunimi të mbetjeve të ngurta në Vlorë e po ashtu dhe për importimin e mbetjeve.
Arben Ahmetaj: Do të kërkoja që edhe ligji i miratuar së fundmi në qeveri për uljen e taksës së turizmit, të kalojë sa më shpejt, mundësisht dhe me procedurë të përshpejtuar. Është një lehtësi e madhe për biznesin turistik përpara sezonit, por edhe përpara zgjedhjeve.
Ermonela Felaj: Ne si qeveri kërkojmë që patjetër disa ligje me rëndësi si këto të kalojnë shpejt nga ky parlament.
Gramoz Ruçi: Epo parlamenti nuk funksionon siç ju do qejfi juve. Ka rregullore dhe procedura. Më doli goja vendit duke ju kërkuar të sillni ligje në parlament. Ju i sillni kur jua ka qejfi dhe doni t’i kalojmë menjëherë. Tani ato s mund të kalojnë se thoni ju, si fillim duhet të hyjnë në kalendar.