Portieri i Manchester Unitedit, David de Gea, e ka bërë të qartë planin e tij për të qëndruar për shumë vite pjesë e skuadrës së Djajve të Kuq, duke ia vendosur vetes qëllim t’i luajë edhe 400 ndeshje për gjigantin anglez.
David De Gea e theu së fundi rekordin e Peter Schmeichel si portieri i huaj me më së shumti paraqitje për Manchester Unitedin, përderisa 29-vjeçari ka qenë ndër figurat kryesore të klubit që nga largimi i Sir Alex Fergusonit, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, De Gea nuk është afër ta barazojë koleksionin e medaljeve të fituara nga Schmeichel në Old Trafford, por është i përkushtuar që ta arrijë edhe këtë synim gjatë viteve të ardhshme.
De Gea nënshkroi kontratë afatgjatë në shtator të vitit 2019, ndërsa ai planifikon ta respektojë atë kontratë dhe të qëndrojë pjesë e skuadrës së Djajve të Kuq për një kohë të gjatë.
“Jam shumë krenar që i kam arritur 400 ndeshje. Është një gjë e mrekullueshme të jesh pjesë e këtij klubi. Është çmenduri… imagjino se si është t’i kesh luajtur 400 ndeshje”, ka thënë De Gea, pas presionit të bërë ndaj tij shkaku i gabimeve gjatë këtij sezoni, që kanë nxitur spekulime se ai mund ta humbë pozitën e portierit të parë ndaj Dean Hendersonit, i cili është huazuar në Sheffield United.
“Kjo është një gjë shumë, shumë e veçantë për mua dhe shpresoj se do të mundë t’i luajë edhe 400 ndeshje të tjera dhe thjesht ta shijoj çdo ditë këtu dhe ta shijoj të qenët pjesë e këtij klubi”.
“Unë dua të vazhdoj të luaj dhe t’i shijoj stërvitjet, bashkëlojtarët dhe stafin këtu. Më pëlqen ta vesh fanellën e Manchester Unitedit në çdo ndeshje dhe të luash në Old Trafford është një gjë shumë e veçantë”.
“Jam mirënjohës që jam këtu dhe shpresoj se do të mund të vazhdoj këtu edhe për shumë vite”.