Sport

De Biasi: Xhaka nuk ka ndonjë aureolë shenjtori

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi ka theksuar sot në Tiranë se Xhaka është si gjithë të tjerët, nuk ka ndonjë aureolë shenjtori.

“Nëse do të jetë pjesë e këtij grupi duhet ta tregojë me fakte, në rast të kundërt mund të bëjmë edhe pa të”, ka thënë De Biasi në interesimin e mediave për largimin e Xhakës dhe Abrashit, në konferencën e mbajtur në Tiranë, pas kthimit nga Italia, ku Shqipëria humbi nga Italia 2-0.

“Ndërsa Abrashi, ai erdhi në grumbullim i dëmtuar. U përpoqëm së bashku me stafin mjekësor që ta kurojmë, por pas seancës së fundit stërvitore në Palermo ai tha se nuk ia dilte dot”, ka thënë De Biasi.

Tekniku italian ka folur edhe për pyetjen që i është bërë mbrëmë, në lidhje me dorëheqjen e mundshme të tij.

“Ne po flisnim për incidentet dhe flakadanët dhe nuk po e kuptonim se përse po ndodhte e gjithë kjo. Në atë moment gazetari më pyeti nëse isha gati të jepja dorëheqjen dhe përgjigjja ime ishte ‘se nuk marr vendime të improvizuara, por mendohem mirë për to’. Tani që e kam menduar mirë situatën, mund të them se nuk ka problem që nuk zgjidhet. Mbetet vetëm të kuptohet ajo që kemi arritur të gjithë si grup, së bashku me tifozët”, deklaroi De Biasi./KosovaPress/