Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Gianni De Biazi, sot është nderuar me titullin “Cavaliere”, duke marrë medaljen e “Ordine Della Stella D’Italia”.
Në një ceremoni të organizuar në Ambasadën Italianë në Tiranë, ka qenë ambasadori italian në Tiranë, Alberto Kutilo, ai që i ka dorëzuar trajnerit kuqezi titullin e akorduar nga presidenti i Republikës së Italisë.
“Është një kënaqësi e madhe për mua të jap këtë çmim të veçantë për trajnerin Gianni De Biazi, për meritat jo vetëm sportive, por mbi të gjitha njerëzore. Nuk ka nevojë që të mbaj fjalim se De Biazi është personazh i njohur, por do të doja të lexoja motivimin: ‘Për kontributin e tij për marrëdhëniet mes Italisë e Shqipërisë, duke treguar interes për zhvillimin e sportit në Shqipëri, duke kontribuar me përvojën e tij në rritjen e sportit shqiptar. Duke reflektuar nëpërmjet futbollit edhe impenjimin politik të Italisë në Shqipëri’. Italia dhe Shqipëria, në një moment të vështirë të Bashkimit Evropian, ku ka vende të cilat mendojnë se edhe mund të dalin, këto dy vende mendojnë se mund të jenë bashkë aty”, u shpreh ambasadori italian para se t’i vendoste De Biazit stemën dalluese të këtij titulli./KosovaPress/