Gianni de Biasi edhe një herë ka treguar se ishte shumë afër të emërohej trajner i Italisë
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi vazhdon të “qajë” rastin e munguar për të marrë drejtimin e përfaqësues italiane të futbollit dhe insiston se ai ishte thuajse i ulur në bankinën e Azzurrëve.
Trajneri i kuqezinjve e ka konfirmuar një gjë të tillë edhe për “Rai Sport”, para ndeshjes mes Italisë dhe Gjermanisë që u zhvillua të martën në Milano.
“Mendoj se kam qenë shumë pranë kombëtares, kam takuar Carlo Tavecchio së fundmi dhe më shpjegoi se arsyet nuk kishin të bënin me Federatën”, theksoi tekniku i kombëtares shqiptare që tashmë do të jetë “armiku’ i Italisë në ndeshjen e muajit mars.
Në të kaluarën, mediat italiane ka folur shpesh për ndërhyrje të jashtme nga figura të politikës në Federatën Italiane për zgjedhjen e trajnerit të Italisë. Mes emrave të përfolur ishte edhe ai i Mateo Rencit, kryeministrit italian, i cili kishte pasur preferencat e tij.
De Biazi nuk tregoi se nga kishte ardhur ndikimi, por fjalët e italianit lënë të kuptohet se emërimi i Venturës ishte bërë nga jashtë Federatës.