Nga studio e “Sky”, eksperti i lëvizjeve në tregun e futbollit, gazetari Gianluca Di Marzio, ka komentuar punën e trajnerit të Inter, Antonio Conte dhe merkaton zikaltër në verë, por duke bërë edhe një parashikim për atë të janarit.
“Kur përqafoi projektin e klubit zikaltër, mbase mendonte se arritja e niveleve të rëndësishme do të kishte kërkuar më shumë kohë. Më pas, duke qenë vetëm 1 pikë larg Juventus, kuptoi se diçka më shumë edhe mund të bëhej më mirë”.
“Icardi, Nainggolan e Perisic? U larguan në huazim, por klubi bëri gjithçka për t’i përzënë, për të mos minuar qetësinë dhe harmoninë e kontigjentit në dhomat e zhveshjes. Ndaj nuk shoh përgjegjësi të ekzagjeruara nga ana e drejtuesve të klubit. Ishte një merkato prej rreth 200 milionë euro dhe Inter është një nga ato klube që ka shpenzuar më shumë”.
“Nuk është një strategji e konkorduar. Marotta do të bëjë gjithçka për ta kënaqur në kufijtë e mundësive, duke respektuar Fair-Play Financiar. Nuk mund të parashikohen dëmtimet si ato të D’Ambrosio, Politano, Sanchez. Me dëmtimin e kilianit, mbase klubi do të duhet të rekrutojë sulmuesin që nuk dëshironte të merrte”, deklaroi ndër të tjera Di Marzio.