Sport

Conte i del në mbrojtje Wengerit

Arsene Wenger ka përfunduar në qendër të kritikave për rezultatet e dobëta të Arsenalit.

Pas debaklit të pësuar nga Bayern Munich në Ligën e Kampionëve, të gjithë janë kthyer kundër Arsene Wenger dhe madje shumë tifozë të Arsenalit kërkojnë që ai të largohet nga klubi.

Në 20-vjet sa ka qëndruar me ‘Topçinjtë’, trajneri francez ka fituar shumë trofe por në vitet e fundit klubi londinez nuk është në nivelet më të larta dhe duket se ky do të jetë viti i tij i fundit në stolin e Arsenalit.

Por në përkrahje të Wenger ka dalë trajneri i Chelseat, Antonio Conte, që ua përkujton të gjithë kritikëve punën e madhe që Arsene ka bërë me Arsenalin.

“Kam respekt të veçantë për të si njeri dhe trajner”, ka thënë Conte. “Wenger ka bërë një punë të mrekullueshme në këto 20 vite dhe po vazhdon ta bëjë të njëjtën edhe sot”.

“Kur je trajner i një klubi të madh është normale që të jesh nën presion. Ai është trajner shumë i mirë një prej më të mirëve në botë”.

“Ka një ekip të fortë dhe është normale që ka periudha kur rezultatet nuk janë të mira, por nuk duhet harruar asnjëherë punën që trajneri ka bërë ndër vite”, ka përfunduar Conte.