Dy zyrtarë të UEFA-s janë duke qëndruar në Kosovë, përkatësisht në Federatën e Futbollit të Kosovës
Pas Tyrge Borno, inspektorit të UEFA-s për infrastrukturë, në Kosovë janë duke qëndruar edhe dy zyrtarë të Shtëpisë Evropiane të Futbollit.
Fjala është për Nicholas Marshall, përgjegjës për organizmin e ndeshjeve në UEFA, dhe Jean-François Domergue, zyrtar i UEFA-s për zhvillimin e grup-moshave.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express, Eroll Salihu, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
“Nicholas Marshall, i cili është përgjegjës për organizimin e ndeshjeve, e ka vizituar FFK-në. Ky është personi që ka qenë në të gjitha ndeshjet që ne i kemi luajtur si vendas”, ka deklaruar Salihu.
“Kurse, në Kosovë po qëndron edhe Jean-François Domergue (UEFA’s Youth Football Program) përgjegjës për zhvillimin e grup-moshave nga 13 deri në 16 vjeç”, ka theksuar ai.
“Ai është takuar me drejtorin teknik dhe me selektorët pasi ne kemi hartuar një program për zhvillimin e këtyre grup-moshave”, ka theksuar ai.
Salihu ka bërë të ditur se Jean-François Domergue sonte do të jetë në Ferizaj së bashku me selektorët e grup-moshave për të parë një stërvitje. /Express/