Ish-kapiteni i Chelseat, Dennis Wise, beson se klubi londinez duhet të bëjë gjithçka për ta mbajtur në skuadër N’Golo Kanten, mes spekulimeve se për transferimin e tij është interesuar Real Madridi.
Mesfushori francez, i cili e shijoi famën për herë të parë në vitin 2015 me skuadrën e Leicester Cityt, raportohet se mund të mos e vazhdojë edhe më tutje karrierën e tij me Chelsean, transmeton Gazeta Express.
Përkundër që është dy-herë fitues i titullit të Premierligës dhe fitues i çmimit për Lojtarin më të mirë të vitit në Premierliga, forma dhe lëndimet e Kantes kanë ndikuar në paraqitjet e tij gjatë kohës së fundit.
Kante i ka bërë vetëm 27 paraqitje gjatë këtij sezoni, ndërsa trajneri Frank Lampard është detyruar shpeshherë të kërkojë ndihmë nga lojtarë të tjerë për t’i fituar pikë skuadrës londineze.
Real Madridi raportohet se është duke e monitoruar këtë situatë të Kantes në Chelsea dhe raportohet se tashmë e ka rindezur interesimin për francezin, të cilin e ka pasur në radar që një kohë të gjatë. Megjithatë, Wise beson se Kante s’duhet të lejohet të largohet nga Stamford Bridge.
“Unë do të them se personi kryesor është Kane, pa asnjë dyshim. Pastaj mund ta plotësosh skuadrën duke i ndërruar Mateo Kovacicin, Ross Barkleyn apo Mason Mount”, ka thënë fituesi i Kupës së Botës.
“Mendoj se gara do të jetë mes këtyre katër futbollistëve për t’u zgjedhur në treshen e mesfushës së Chelseat, kur luhet me skemën 4-3-3”.
“Është e vështirë ta zgjedhësh treshen, por Kane duhet të jetë aty patjetër. Mendoj se ai është tejet i rëndësishëm për skuadrën, nuk mund të qëndrojë i ulur në stol”.