Sport

Certifikohen 21 trajnerë të volejbollit

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka bërë sot ndarjen e certifikatave për trajnerët e volejbollit. Në kursin teknik për trajnerët e volejbollit u certifikuan 21 pjesëmarrës.

Trajnimi u mbajt për pesë ditë, dhe u organizua nga Komiteti Olimpik i Kosovës, me mbështetjen e Solidaritetit Olimpik të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, vlerësoi lartë rëndësinë që ka ky kurs për ngritjen e nivelit të volejbollit në Kosovë, duke theksuar se KOK-u do të vazhdojë me organizime të tilla, dhe deri në fund të vitit do t’i mbajë edhe 9 kurse të tjera në sporte të ndryshme.

“Unë pres që falë edhe kursit për administrator të cilin e ka kryer Federata e Volejbollit, por edhe kursin për trajnimin e trajnerëve do të ndikojnë që volejbolli të jetë në një nivel më të lartë në të ardhmen. Përndryshe, KOK planifikon që t’i ketë edhe nëntë kurse tjera me federata të ndryshme”, tha Hasani

Krytari i Federatës së Volejbollit të Kosovës (FVK), Abedin Ibrahimi, ka theksuar se FVK nuk do të ndalet me kaq dhe se do të synojnë organizimin edhe të seminareve të tjera, pasi qëllimi kryesor është ngritja e nivelit të volejbollit kosovar.

“Ne besoj se nuk do të ngelemi vetëm në këtë nivel dhe në këtë kurs, por trajnerët tanë duhet të avancohen gradualisht edhe në seminaret e tjera, që do t’i mbajmë në Kosovë por pse jo edhe jashtë Kosovës, andaj çdo seminar, çdo aktivitet i trajnerëve është në të mirën e ngritjes së volejbollit në nivelin e lojtarëve tonë, kështu që ne i përkrahim dhe i përgëzojmë për këto rezultate të cilat i kanë arrit sot me përfundimin e këtij seminari”, ka thënë Ibrahimi.

Edhe eksperti ndërkombëtar nga Rumania, Dan Ilie Girleanu, është ndarë i kënaqur me nivelin e njohurive të trajnerëve kosovarë. Ai ka thënë se shpreson që ata tani t’i vënë në praktikë këto njohuri.

“Ne kishim 5 ditë ku punuam shumë, pothuajse 7-8 ore në ditë dhe të gjithë arritën ta përballonin shumë mirë, jam i kënaqur me atë çka pashë, me njerëzit që takova, njohurit për volejbollin janë në nivel të lartë. Këtu nuk është gjithçka vetëm kalimi i testit, gjithashtu duhet të vihet në praktikë ajo çka ata kanë mësuar”, është shprehur Girleanu.

Ndërsa, trajneri i certifikuar sot, Edon Ibrahimi, ka thënë se këto seminare janë shumë të nevojshme si federatë e re që është Kosova.

“Ishte një eksperiencë shumë e mirë, pas pranimit të federatës është shumë normale që kemi pas nevojë për kësi seminare për trajner dhe besoj se ka me na shërby shumë për të ardhmen”, është shprehur Ibrahimi. /KosovaPress/