Cleveland Cavaliers kanë triumfuar në duelin direkt ndaj Boston Celtics.
Ndeshja kryesore e mbrëmjes u zhvillua në TD Garden, ku u takuan Boston Celtics dhe Cleveland Cavaliers, skuadra këto që po luftojnë për pozitën e parë të Konferencës së Lindjes.
Kampionët në fuqi treguan forcën ndaj Celtics dhe triumfuan bindshëm 114:91, për t’u rikthyer në pozitën e parë, kur kanë mbetur edhe katër ndeshje deri në përfundim të stinorit të rregullt, transmeton KosovaPress.
Atëherë kur i duhet më së shumti skuadrës së tij, LeBron James ndezi motorët dhe udhëhoqi Cavs, me 36 pikë të realizuara, si dhe shtoi 10 kërcime e 6 asistime. Në Konferencën e Perëndimit, Golden State Warriors siguruan vendin e parë pas fitores ndaj Phoenix Suns 120:111.
Stephen Curry ishte në mbrëmjen e tij më të mirë, pasi e mbylli ndeshjen me 42 pikë të realizuara. Humbje befasuese për San Antonio Spurs, që u mposht në shtëpi nga Los Angeles Lakers 95:102.