Selektori i përfaqësueses së Kroacisë, Ante Cacic ka vlerësuar lartë paraqitjen e përfaqësueses së Kosovës në ndeshjen e zhvilluar në ‘Maksimir’.
Cacic ka theksuar se performancat e Kosovës janë duke u përmirësuar në secilën ndeshje, dhe ai nuk u befasua nga kjo paraqitje e mirë, duke paralajmëruar se çdo ekip që do të luajë kundër Kosovës do ta ketë shumë të vështirë.
“Natyrisht nuk më kanë befasuar, gjatë këtyre javëve e kam paralajmëruar si një lojë shumë të rëndësishme e cila do të jetë me shumë befasi, dhe natyrisht Kosova nga ndeshja në ndeshje është duke u rritur. Edhe moti ju ka përshtatur pasi është më lehtë të organizosh mbrojtjen në një mot të tillë, por besoj se deri në fund të këtij cikli të garave çdokush që do të luaj ndaj Kosovës do ta ketë shumë të vështirë”, ka thënë Cacic.
Ndër të tjera Cacic u shpreh i lumtur për marrjen e tre pikëve ndaj Kosovës, sepse sipas tij ky ishte qëllimi kryesor i kroatëve, duke theksuar se pret që Kosova në të ardhmen të krijojë lojë edhe më cilësore.
“Ne kemi pasur qëllim që ti fitojmë këto 3 pikë dhe e kemi arritur këtë qëllim, në anën tjetër siç e thashë edhe më herët Kosova ka përparuar në lojën e vet, ka avancuar dukshëm, dhe ka arritur që përmes disa veprimeve ti krijojnë rastet e tyre. Kanë qenë shumë luftarak, dhe pres që në të ardhmen të kenë një ekip shumë më kompakt, lojtarë që avancojnë shumë më tepër dhe të kenë një lojë shumë më cilësore”, u shpreh Cacic.
Edhe Cacic, nuk e ka pritur mirë vendimin e FIFA-së që kjo ndeshje të luhet sot, pasi lojtarët e Kosovës dhe Kroacisë do të kenë vetëm dy ditë, për t’u përgatitur për ndeshjen e ardhshme.
“Natyrisht, kjo nuk është diçka që është në rregull sepse lojtarët tanë do të kenë 58 orë pas kësaj ndeshje për të pushuar fizikisht, dhe kjo nuk është e mundur, por natyrisht ne nuk mund të bëjmë asgjë, dhe kjo është gjendja”, tha Cacic.
Kroacia ndeshjen e ardhshme e luan të martën kundër Turqisë, në Stamboll. /KP