Alban Bushi, menaxheri i Kombëtares, mendon se gjyqtari Deniz Aitekin e ka dëmtuar Shqipërinë në disa raste në ndeshjen ndaj Izraelit.
Menaxheri i Kombëtares, Alban Bushi, i vë gjyqtarit një pjesë të mirë të përgjegjësisë për humbjen e Kombëtares 3-0 kundër Izraelit.
Edhe pse e pranon se reagimi i Etrit Berishës ishte i tepërt, ish-sulmuesi kuqezi ka renditur një për një të gjitha rastet ku gjyqtari Deniz Aitekin ndikoi mbarëvajtjen e lojës me vendimet e kontroverse.
“Rastin e kartonit të kuq të Berishës, gjyqtari mund ta kalonte me nga një të verdhë për të dy lojtarët. Normalisht lojtarët duhet t’i kontrollojnë nervat, kjo nuk diskutohet. Por herë pas here njeriu del edhe nga vetja”, ka deklaruar Bushi në emisionin “Opinion”.
“Kjo u ka ndodhur edhe futbollistëve më të mëdhenj se Berisha, si për shembull Zidani. Megjithatë, reagimi i tij erdhi si pasojë e asaj çka kishte ndodhur gjatë gjithë pjesës së parë”, ka shtuar.
Më pas ish sulmuesi i disa skuadrave greke ka radhitur rastet ku “bilbili” turko-gjerman gaboi gjatë ndeshjes mes Shqipërisë dhe Izraelit,.
“Ne kemi bërë një video dhe kemi analizuar arbitrin për sa i përket pjesës së parë: Minuta 16’: Roshi goditet me bërryl gjatë kërcimit; Minuta 17’: Gjimshitin mund ta kalonte me karton të verdhë në rastin e penalltisë; Minuta 22’: Duhet të ndëshkohet me karton të verdhë lojtari i Izraelit për bërrylin që i dha nga mbrapa Abrashit”
“Minuta 48’: Arbitri ndëshkon me karton të verdhë Xhakën. Pasi e kemi parë në video, Xhaka bën një ndërhyrje normale për ndërprerje aksioni. Pra gjyqtari ka bërë tre-katër gabime që ndikojnë në ndeshje”, ka shtuar ai.
“Pas pjesës së parë lojtarët ishin të revoltuar me arbitrin dhe ne u munduam t’i qetësonim. Megjithatë, u ndikuan sadopak dhe veprimi i Berishës është pasojë e kësaj. Nuk duhet ta bënte, por janë gjëra që ndodhin në futboll. Na ndodhi neve këtë radhë, shpresojmë të mos na ndodhë herë tjetër”, ka përfunduar ai.