Sport

Bunjaki: Turqia, kundërshtar i vështirë

Selektori i Kosovës, Albert Bunjaki, e ka pranuar se ndaj Turqisë nuk do ta ketë aspak të lehtë.

Albert Bunjaki i ka lënë prapa krahëve humbjet e fundit ndaj Kroacisë (6:0) dhe Ukrainës (3;0) dhe po shikon përpara. Ai po mendon se si t’i rezistojë kundërshtarit të radhës, Turqisë, edhe pse është i vetëdijshëm se një gjë e tillë nuk do të jetë aspak e lehtë.

“Ne jemi në grupin më të vështirë të mundshëm. Duhet ta shikojmë gjendjen momentale të lojtarëve, do të luajmë edhe me një kundërshtar të fortë, nuk do ta kemi aspak të lehtë. Në dy ndeshjet e fundit nuk kemi pasur fat, pasi kemi mundur ta merrnim një pikë”, ka deklaruar Bunjaki për Zëri.

“Në përgjithësi, më kanë kënaqur performancat e ekipit, e kemi një skuadër që po piqet. Mos ta harrojmë se kemi pasur lojtarë që kurrë më parë nuk kanë qenë me ne si Muriqi, Zeneli, Shala e Meha”, vazhdoi Bunjaki.

Atë e brengos goxha shumë edhe fakti se Kosova po duhet që ndeshjet si vendës t’i luajë jashtë territorit të saj, për shkak të mungesës së një stadiumit adekuat.

“Do t’i zhvillojmë pesë lojë jashtë Kosovës. Nuk është e lehtë të luajmë jashtë, ndryshe do të ishte në Prishtinë e Mitrovicë dhe ndryshe jashtë vendit. Po është ngarkesë fizike. Sidoqoftë, duhet ta vazhdojmë procesin e punës”, nënvizoi ai.

Sipas Bunjakit, objektivat e ekipit verdhekaltër në këto eliminatore janë që të mundohet të befasojë dhe të komponohet gradualisht. Ai është shumë i sigurt se Kosova do të ngrihet në renditjen e FIFA-s në fund të eliminatoreve për Botëror.

Bunjaki thotë se e ka një skuadër mesatare 21-22 vjet dhe insiston se ka elemente të mirë në të, duke shtuar se skuadra ka përparuar më shpejt se që ka menduar.

Eksperiencën në kualifikimet e “Rusia 2018” e sheh si mundësi të pjekurisë, derisa fokusi i tij është Evropiani, ku beson se do ta kualifikojë Kosovën. Deri atëherë, ai i këshillon të gjithë të mos bëjnë presion, të kenë durim dhe t’i lënë djelmoshat e Përfaqësueses të punojnë të qetë.