Sport

Bunjaki pret katër yje për ndeshjen e marsit

Albert Bunjaki, selektori i Kosovës, pret që katër emra të mëdhenj do t’i bashkohen Kosovës për ndeshjen ndaj Islandës, e cila luhet me 24 mars.

Seleksionuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki, shpreson ta ketë në dispozicion sulmuesin kosovar të Melbourne Victory, Besart Berisha, për ndeshjen e radhës eliminatore kundër Islandës.

Bunjaki shpreson se me ardhjen e sulmuesit Berisha, do ta stabilizojë pjesën ofensive. Kosova ndeshjen e pestë eliminatore për kampionatin botëror “Rusia 2018” kundër Islandës e zhvillon më 24 mars në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Për këtë ndeshje, Bunjaki pret edhe lojtarë të tjerë të rinj.

“Për ndeshjen kundër Islandës shpresoj t’i kem në dispozicion Besart Berishën, Atdhe Nuhiun, Donis Avdijajn dhe Loret Sadikun. Për Besartin kam thënë se llogaris që nga janari i këtij viti dhe ashtu mbetet. Unë nuk di ndonjë vendim tjetër të tij. E di që edhe vetë ka thënë se nëse gjithçka shkon në rregull do të jetë pjesë e Kosovës nga ky vit. Pra do të na bashkohen disa lojtarë për herë të parë”, ka thënë Bunjaki për Koha Ditore.

Berisha 31-vjeçar, më 4 nëntor të vitit të kaluar, mori leje nga FIFA për ta përfaqësuar Kosovën. Edhe vetë Berisha më herët për gazetën ka thënë se ka vendosur të luajë për Kosovën. Por ai nuk ka bërë të ditur se në cilën ndeshje shpreson të debutojë.