Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Albert Bunjaki, ka deklaruar para ndeshjes së nesërme kundër Islandës se pret një ndeshje të temposë së lartë dhe shpreson të kenë më shumë fat krahasuar me dy ndeshjet e fundit, ndërsa e ka pranuar se Islanda është një kombëtare e fortë gjë që e ka dëshmuar edhe në kampionatin e fundit evropian.
Ai gjatë një konference për media të enjten mbrëma në Shkodër, tha se atmosfera në taborin e Përfaqësuese së Kosovës është e mirë dhe presin një lojë më ndryshe nga takimet tjera.
“Pas tri ushtrimeve është ofruar koha për lojë. Kemi një atmosferë të mirë, kemi pas një stërvitje në Kosovë dhe dy në Shqipëri. E dimë që do të ballafaqohem me çerekfinalistët e Kampionatit Evropian, presim një skuadër me një lojë më ndryshe nga takimet e mëhershme. Nuk mendoj se kemi nevojë për prezantim më thellë, sepse është një skuadër kompakte, solid. Për ne do të jetë shumë interesante, sepse nuk kemi pas rast të ballafaqohem me një kundërshtar të tillë, por edhe Kosova ka fituar eksperiencë”, ka thënë Bunjaki.
Për më tepër Bunjaki tha se dueli i nesërm do të jetë mjaft i rëndësishëm.
“Gjithë lojtarët janë mirë në raport më lëndime, natyrisht se jemi në pritje të vendimit për Donis Avdjaja, sonte ose nesër marrim vendimin. Pres një lojë fizike, një lojë që do të ketë shumë duele, një lojë me tempo të lartë. Normalisht se favorit është Islanda duke pasur parasysh përvojën e tyre dhe lojën që kanë bërë, por do të jetë një lojë shumë e rëndësishme për një kombëtare në vendin e dytë. Edhe Kosova prej lojërave ka filluar të rritet, dhe nuk mendoj se jemi shumë larg befasisë dhe jemi afër barazimit dhe fitores. Shpresoj dhe besoj se do të kem edhe fat ku nuk kemi pas në dy takimet e fundit”, ka thënë Bunjaki./KosovaPress/